Bamir Topi, këtë javë zyrtarisht në opozitë, brenda selisë së FRD-së
Biberaj: Berisha po na çon në komunizëm
Fatjona Mejdini
Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, pritet që këtë javë të anëtarësohet de jure në Partinë Fryma e Re Demokratike dhe të nisë drejtimin e saj de facto. Burimet bëjnë të ditur se këtë javë, ish-kreu i shtetit do të konkretizojë afrimin me partinë që drejtohet në mënyrë të përkohshme nga deputeti Gazmend Oketa. Në FRD pritet të organizohet dhe një ceremoni pritje për anëtarësimin e ish-kreut të shtetit, në një kohë kur zyra që ai do të mbajë në godinën e partisë është përcaktuar prej kohësh. Me vendosjen e Topit në selinë e FRD-së pritet të fillojë zyrtarisht dhe beteja e tij opozitare ndaj mazhorancës. Ai pritet të kujdeset në mënyrë të drejtpërdrejtë me organizimin e partisë dhe përgatitjen e kandidatëve kryesorë të saj, nisur nga fakti se vendin e ndajnë vetëm 10 muaj nga zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërkaq, një nga themeluesit e FRD-së, Aleksandër Biberaj, deklaroi dje se Berisha po e çon vendin drejt një regjimi totalitar, nisur nga uzurpimi që po i bën të gjitha institucioneve kushtetuese.
Topi
Burimet bëjnë të ditur se ish-kreu i vendit, Bamir Topi, i ka mbyllur pushimet për këtë verë dhe brenda javës së ardhshme do të vendoset përfundimisht në zyrat e FRD-së, për të nisur dhe aksionin opozitar. Anëtarësimi i tij de jure në partinë e re të së djathtës pritet ti hapë rrugë Topit për fillimin e përgatitjeve të partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen në qershor të 2013-s. Rreth dy javë më parë, Topi zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Frymës së Re Demokratike, duke premtuar që shumë shpejt, takimi i radhës do të ishte në selinë e kësaj partie. Në deklaratat publike të bëra pas përfundimit të mandatit si President, ish-kreu i shtetit ka theksuar faktin se në politikë do të jetë në rolin e misionarit dhe se tashmë në vend ka ardhur koha që të ketë rotacion politik. Bamir Topi, në krye të FRD-së, pritet të vendosë dhe për aleancat që kjo parti do të bëjë në kuadër të përfshirjes në garën elektorale të 2013-s. Përcaktimi i aleancave do të ketë rol vendimtar në suksesin ose jo të partive të vogla politike, të cilat janë të pafavorizuara për garën e radhës.
Biberaj
Një nga anëtarët themelues të FRD-së, Aleksandër Biberaj, foli dje për rrezikun e madh që po i kanoset demokracisë shqiptare nga uzurpimi që Kryeministri Berisha po i bën institucioneve të pavarura të vendit. Sipas Biberaj, këto shenja po dukeshin nga emërimet e bëra së fundmi në dy institucione tepër të rëndësishme, siç janë Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. KLD dhe SHISH janë dy institucione shumë të rëndësishme për ruajtjen e balancave në ndarjen e pushteteve, funksionimin e demokracisë, por edhe për sigurinë kombëtare. Fatkeqësisht këto dy institucione shumë të rëndësishme, Presidenti ia dha Kryeministrit me dy firmat e para si President për 48 orë, duke sjellë uzurpimin nga Kryeministri të të gjitha pushteteve, të gjitha institucioneve të pavarura kushtetuese, gjë që e çon vendin drejt një regjimi totalitar, por pashmangshmërisht e çon edhe këtë regjim drejt fundit të turpshëm, theksoi Biberaj. Sipas tij, Kryeministri Berisha po i largohet çdo ditë e më shumë integrimit në Bashkimin Europian dhe standardeve të NATO-s dhe me këtë politikë antipopullore, antikombëtare dhe antiperëndimore, çdo shqiptari i lind detyra patriotike të ndihmojë në largimin e tij nga pushteti. Biberaj foli edhe për punën organizative që po bëhej në FRD dhe planet për të hapur degë të kësaj partie dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kemi shumë kërkesa për të pasur përfaqësim edhe në hapësirat shqiptare jashtë Shqipërisë dhe sidomos në emigracion, theksoi Biberaj, duke i quajtur muajt në vijim si tepër të rëndësishëm në organizim.
Topi - Një pushtet që falsifikon edhe votën e Presidentit nuk ka nevojë për më shumë simptoma. Është e domosdoshme të ketë rotacion politik
Biberaj - Fatkeqësisht PS dhe PD (bashkë me LSI-në) janë bërë si dy gjysmat e kalbura të mollës PPSH. Por ne do të hartojmë strategjitë dhe taktikat tona, për të maksimizuar rezultatin në zgjedhje
Bamir Topi, këtë javë zyrtarisht në opozitë, brenda selisë së FRD-së burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip
