E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i Shtabit të Ushtrisë betohet para presidentit Topi

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade, Xhemal Gjunkshi, bëri dje betimin para presidentit të Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare. Në ceremoninë solemne të zhvilluar me këtë rast në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Maksim Malaj dhe drejtues të tjerë të lartë të Ushtrisë Shqiptare. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit lexoi dekretin presidencial dhe formulën e betimit. Pas betimit, Kryetari i Shtetit shqiptar i dorëzoi gjeneral brigade Xhemal Gjunkshit dekretin e emërimit të tij në detyrën e rëndësishme në krye të Forcave të Armatosura. Në përfundim të ceremonisë, presidenti Topi zhvilloi një takim me shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, si dhe paraardhësin e tij gjeneralmajor Maksim Malaj. Kreu i Shtetit shprehu vlerësimin për karrierën e rëndësishme të Gjunkshit, duke e cilësuar atë si një personalitet të Ushtrisë Shqiptare, që vërtet e meriton plotësisht të jetë në këtë pozicion shumë të rëndësishëm të Shefit të Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit shqiptar falënderoi zotin Malaj për të gjithë kontributin e tij në pozicionin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura “në një periudhë e cila është shënuar me germa të arta në historinë e Shqipërisë e Ushtrisë Shqiptare, në periudhën kur Shqipëria u bë anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, të NATO-s; në një periudhë kur Ushtria Shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është drejtuar në një mënyrë profesionale.” Në vlerësimin e Topit, ajo ka qenë pjesëmarrëse në misione të rëndësishme ndërkombëtare përkrah aleatëve tanë më të mëdhenj dhe padyshim ka arritur dimensionet e veta duke u rritur profesionalisht. “Ne sot krenohemi vërtet me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh presidenti Topi. Edhe një herë në këtë takim, Presidenti i Republikës i uroi suksese Shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, duke vënë në dukje dhe bindjen e tij se Gjunkshi do të çojë përpara të gjitha arritjet që janë bërë në kuadrin e reformimit të Forcave të Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka falënderuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm në largim, gjeneralmajor Maksim Malaj, për bashkëpunimin e frytshëm në kryerjen e projekteve dhe detyrave madhore të realizuara gjatë kohës që gjeneral Malaj ishte në krye të FA-së, ndërsa i uroi Shefit të Shtabit të sapo emëruar, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshit suksese në detyrën e tij të re e të një përgjegjësie të lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›