E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, zgjidhet kreu i këshillit të qarkut, debate mes socialistëve

Vangjel Ndreko është emri i kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen” për postin e kryetarit të këshillit të qarkut Fier. Emri i tij ka dalë nga procesi i votimit të zhvilluar ditën e hënë në mesditë në selinë e Partisë Socialiste të këtij rrethi. Në këtë proces votimi morën pjesë 56 këshilltarët e dalë nga procesi i zgjedhjeve për në këtë organ, në konstituimin e këshillave bashkiakë dhe atyre komunalë në gjithë qarkun Fier. Në këtë proces votimi, i cilësuar i rëndësishëm nga forumet e PS edhe në qendër, morën pjesë edhe deputetë të kësaj force politike për këtë qark. Prej orëve të para të mëngjesit në selinë e PS ka qenë i pranishëm edhe kryetari i asamblesë së PS-së, Gramos Ruçi, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe deputetët Piro Lutaj, Armando Subashi etj. Mësohet se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave para se ato të futeshin në procesin e votimit, ka shkaktuar debate mes palëve, debate që kishin të bënin me përzgjedhjen e kandidaturave. Këshilltarët e pranishëm kanë kërkuar nga drejtuesit e qendrës që të përthithet mendimi i tyre në këtë proces, sidomos në zgjedhjen e kandidatëve. Ndërsa të tjerë kanë kërkuar që në listën e emrave për votim të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të partive aleate të koalicionit. Por pavarësisht këtyre debateve, nga mbledhja me dyer të mbyllura e anëtarëve të këshillit të qarkut për këtë koalicion u vendosën përballë tyre emrat e Vangjel Ndrekos, drejtor i ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë Fier si dhe Alma Bejtja, një nga figurat kryesore të PS-së së Bashkisë Fier. Procesi i votimit nxori fitues kandidatin Ndreko me 23 vota kundrejt 14 votave që mori Alma Bejtja. Ndërkohë që 19 vota dolën të pavlefshme, çka tregon më së miri për pakënaqësitë që ekzistonin mes këshilltarëve për rrugën që u ndoq për këtë përzgjedhje. Mbledhja konstituese e këshillit të qarkut Fier mbahet ditën e premte në orën 10:00, ndërsa mësohet se Ruçi ka dhënë udhëzime edhe për qëndrimin që këshilltarët e majtë do të mbajnë gjatë saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›