Shefi i Urgjencës tek Trauma: Asnjë humbje jete apo intubim

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, Agustin Suma tha mbrëmjen e sotme se nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete.
Në një prononcim për mediet, Suma tha se “gjatë pasdites së sotme në Spitalin e Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë, kalimtarë. Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës”.
“Nga ana e urgjencës është bërë imobilizimi në terren. Tek ne ka ardhur në gjendje të stabilizuar. Djali është në gjendje të stabilizuar dhe ndihma e parë është dhënë nga ekipi ortoped dhe djali po plotësohet me të gjitha ekzaminimet e tjera dhe është për ndihmë në ortopedi”, theksoi Suma.
Ai tha se “përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka ardhur nga QSUT, kishte disa dëmtime në kokë, është përcjellë me mjekim në shtëpi”.
Në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
/k.s/r.e/a.f/