E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shefi i Wagner dyshon për ‘tradhëti’ nga Moska, në betejën për Bakhmutin

Kreu i ushtrisë private të Rusisë, Wagner, thotë se nuk po merr nga Moska municionet që i nevojiten, në përpjekjet e tij për të marrë kontrollin e Bakhmutit. Qyteti lindor ka parë muaj të tërë luftimesh intensive, ndërsa Wagner dhe trupat e rregullta ruse po përpiqen ta pushtojnë atë.

Por shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, thotë se mungesa e municioneve për ushtrinë e tij mund të jetë “burokraci e zakonshme ose një akt tradhëtie”.

Presidenti i Ukrainës dhe komandantët ushtarakë kanë rënë dakord që të forcojnë mbrojtjen e tyre në Bakhmut. Rusia ka shfaqur vendosmëri për ta pushtuar këtë qytet për muaj të tërë, por shumë analistë thonë se Bakhmut ka tani një çmim simbolik dhe ka pak vlerë strategjike.

Në një postim në mediat sociale të dielën, Prigozhin tha se dokumentet ishin nënshkruar më 22 shkurt, dhe municionet priteshin të dërgoheshin në Bakhmut të nesërmen. Por shumica e tyre nuk ishin dërguar, tha ai, përpara se të deklaronte se vonesat mund të ishin të qëllimshme.

Një shenjë tjetër e përçarjes u shfaq të hënën kur Prigozhin tha se përfaqësuesi i tij nuk ishte lejuar të hynte në selinë e komandës ushtarake të Rusisë.  Është e paqartë se ku ndodhet kjo seli.

Prigozhin tha se kjo erdhi pasi ai i shkroi shefit të “operacionit special ushtarak” të Rusisë, Valery Gerasimov, për “domosdoshmërinë urgjente për të na dhënë municion”. Prigozhin tha se njerëzit e tij kishin frikë se po “vendoseshin” si koka turku në rast se Rusia do të humbiste luftën e saj në Ukrainë.

“Nëse tërhiqemi, do të hyjmë në histori si njerëzit që bënë hapin kryesor për të humbur luftën”, tha ai.

Trupat ukrainase duket se po kryenin një “tërheqje të kufizuar luftarake” në Bakhmutin lindor, tha të hënën Instituti për Studimin e Luftës (ISW). Por shtoi se Ukraina po “vazhdonte t’u shkaktonte rusëve numër të lartë viktimash.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se komandantët ushtarakë të tij mbështesin vazhdimin e operacioneve për të mbrojtur dhe forcuar pozicionet në Bakhmut.

Në një deklaratë, zyra e presidentit Zelensky tha se ai kishte zhvilluar një takim me Valery Zaluzhny, kreun e forcave të armatosura të Ukrainës dhe Oleksandr Syrsky, komandant i forcave tokësore të vendit. Ata folën “në favor të vazhdimit të operacionit mbrojtës dhe forcimit të mëtejshëm të pozicioneve në Bakhmut”. BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›