Tensione të larta në Mesdhe, 2 anije ruse gjurmojnë aeroplanmbajtësen amerikane “Bush” që po lundron në Adriatik

Mediat italiane raportojnë për tensione shumë të larta në brigjet e Italisë, pasi Rusia vazhdon të sfidojë Perëndimin me anijet e saj në detin Mesdhe.
Kremlini, sipas Repubblica, duket se vazhdon të ruaj presionin mbi NATO-n përgjatë detit që rrethon gadishullin italian dhe që është porta për në Evropë. Paralelisht me shtimin e forcave detare në Detin e Zi, Rusia po rrit edhe praninë e saj në Mesdhe.
Siç raportojnë mediat, Rusia po zhvillon një nga operacionet më tinëzare të muajve të fundit mes Kalabrisë dhe ishullit të Korfuzit. Satelitët kanë zbuluar praninë e anijes ruse “Kola”, e cila ka ardhur ditët e fundit nga Oqeani Atlantik.
Sipas mediave italiane, ka shumë të ngjarë që kjo anije t’i bashkohet korvetës raketore që do të niset nga baza siriane e Tartous.
Sipas ekspertëve, hipoteza më e besueshme është se dy anijet ruse janë duke gjurmuar aeroplanmbajtësen amerikane Bush, e cila aktualisht po lundron në Adriatik në brigjet e Pulias.
Nuk është hera e parë që marina ruse e bën të prezente praninë e saj në Mesdhe. Pak muaj më pare, në Kanalin e Otrantos, disa anije ruse u panë pikërisht në ujërat që ruajnë rubinetin e gazsjellësit që sjell gazin e Azerbajxhanit në Itali, i cili zëvendëson gazin rus.
Ndërkohë, një P-72 e Forcave Ajrore italiane është nisur nga aeroporti i Sigonellës dhe po monitoron situatën. Por duket se kjo ngjarje nuk mbaron me kaq. Në brigjet e Siçilisë ndodhet edhe anija Ammirgalio Kasatanov dhe cisterna Akademik Pashin.
Kjo është patrulla e parë në Mesdhe pas rreth 12 muajsh. Kasatanov është një nga anijet më moderne të flotës ruse. Rusët tashmë nuk fshihen. Ata komunikojnë me bazën e tyre dhe dërgojnë një sinjal të qartë në NATO: Ne jemi këtu, në detin tuaj! Liberoquotidiano
/rtsh.al/