E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj bën betimin para Presidentit Topi.

28 korrik 2008

Gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar sot paradite në Presidencë, Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj u betua para Presidentit të Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Prof Dr Bamir Topi.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit Sekretarit të Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj u zotua në mënyrë solemne para Kreut të shtetit me fjalët: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve, do t’i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë”.

Më tej Gjeneral Brigade Maksim Malaj u shpreh se: “Ndihem vërtet i respektuar dhe njëkohësisht i emocionuar t’i drejtohem kësaj audience kaq të nderuar me detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Me këtë rast do të doja të falenderoj Kryeministrin e vendit për besimin e treguar duke me propozuar për këtë detyrë kaq të lartë kushtetuese, por njëkohësisht edhe Presidentin e Republikës njëherazi Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrin e Mbrojtjes.

Të jesh Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është privilegj, por në të njëjtën kohë është edhe detyrim madhor ndaj atdheut, ndaj flamurit, ndaj bashkëatdhetarëve, ndaj familjes, ndaj kolegëve dhe të gjithë atyre që të kanë besuar të drejtosh Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Marrja e kësaj detyre përkon në kohë me firmosjen para disa ditësh të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, mesazh ky që përveç vlerësimit të kontributit dhe angazhimit tonë mendoj se përbën një obligim të madh për të realizuar të gjitha ato detyrime kushtetuese që kanë Forcat e Armatosura.

Besimi që Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes kanë shprehur duke më emëruar në këtë detyrë kaq të lartë dhe fisnike përbën njëkohësisht dhe një detyrim timin moral dhe profesional që do të shoqërohet me një përkushtim maksimal në përmbushjen e kësaj detyre me dinjitet, përpikmëri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë.

Me këtë rast, zoti Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ju premtoj se do të vazhdoj të shërbej me përkushtim dhe me të gjitha forcat e mia në mënyrë që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre në shërbim të paqes dhe të sigurisë si në rajon ashtu edhe më gjerë”.

Në ceremoni morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, z.Gazmend Oketa, Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen dhe Sigurinë, Leonard Demi dhe Petro Koçi, gjeneralët Agim Lala, Kudret Çela, Viktor Berdo, Vladimir Gjiriazi e Zyber Dushku si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›