E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefqet Bylykbashit i ndahet Medalja e Artë e Lirisë

Presidenti Fatmir Sejdiu ka marrë vendim që, për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij në mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe me rastin e 100-vjetorit të lindjes, të dekorojë me Medaljen e Artë të Lirisë, personalitetin e shquar të Kosovës dhe të shqiptarëve, Major Shefqet Bylykbashi - Kapetani.

Kjo medalje u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontribut të lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovë

Në arsyetimin e vendimit të Presidentit Sejdiu për dekorimin e Shefqet Bylykbashit thuhet: Kontributi i Major Shefqet Bylykbashi-Kapetani për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve është i veçantë dhe domethënës në një nga periudhat më të vështira të atdheut tonë, gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Si komandat Artilerie për Mbrojtjen e Kufirit të Kosovës, Shefqet Bylykbashi-Kapetani bashkoi, frymëzoi dhe drejtoi luftëtarët duke qenë vetë në krye, duke treguar kështu trimërinë dhe përkushtimin e paepur për mbrojtjen dhe lirinë e vendit tonë.

Ai dha shembullin e personalitetit ku bashkohen atdhedashuria, vlerat më të larta njerëzore dhe profesionalizmi ushtarak, në funksion të të ardhmes më të mirë të lirisë së qytetarëve të Kosovës.

Shefqet Bylykbashi - Kapetani gjatë gjithë jetës së tij mbeti i përkushtuar dhe i pathyer në idealet e lirisë së Kosovës dhe të shqiptarëve.

Vepra dhe personaliteti i Major Shefqet Bylykbashit - Kapetanit do të mbeten frymëzim atdhedashurie për brezat që do të vijnë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentit.

Në 100-vjetorin e lindjes së këtij atdhetari të shquar, në Prishtinë është mbajtur një akademi përkujtimore. Kontributi i Bylykbashit për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve është domethënës në një nga periudhat më të vështira të atdheut gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, thanë folës në këtë akademi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›