Lirohen hapësirat publike në segmentin e rrugës Transballkanike në Vlorë

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Nisma për lirimin e hapësirave publike vijon edhe në qytetin e Vlorës, ashtu si në qytetet e tjera të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna për lirimin e këtyre hapësirave që i rikthehen banorëve.
“Lirohen hapësirat publike edhe në segmentin e rrugës Transballkanike në Vlorë, një nga zonat më të rëndësishme urbane dhe zhvillimore të qytetit turistik, duke i rikthyer kështu qytetarëve ambientet e përbashkëta të tyre”, theksoi Rama.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e ngritur për këtë qëllim: “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 413 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 563 raste, ndërsa 3 850 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
1 nga 8/k.s/j.p/r.e/