E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shehaj bllokoi foltoren, përplasje me Nokën në Kuvend

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Bllokimi i foltores së Kuvendit nga deputeti i opozitës Agron Shehaj edhe pas përjashtimit të tij nga seanca me urdhër të kryeparlamentares Spiropali, solli përplasje mes deputetëve. Ishte deputeti i Partisë Socialiste, Flamur Noka që ndërsa mori fjalën në Kuvend, shtyu nga foltorja deputetin Shehaj.

Ai e akuzoi Shehajn si bashkëpunëtor të kryebashkiakut Veliaj, ndërsa akuzoi Spiropalin se lejoi një situatë të panevojshme.

Më parë, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi largimin e Shehajt nga foltorja.

Spiropali kërkoi shoqërimin e deputetit Shehaj nga Kuvendi, derisa njoftoi 5 minuta pushim.

Në rinisjen e seancës, deputeti Shehaj u largua nga foltorja ndërsa seanca vijoi me rrjedhën normale të diskutimeve.

Pas daljes nga seanca, Shehaj u tha gazetarëve se banda e Shqipërisë lejoi që një deputet te dhunohej brenda ambienteve të Kuvendit.

“Kur bën një opozite të vërtetë, kur flet për vjedhjet e Ramës dhe oligarkëve të gjithë bëhen bashkë për të penguar që kjo gjë të ndodhë. Doja të flisja për vjedhjet që i janë bërë shqiptarëve”, u shpreh ai.

“Kisha një raport me PD që fatkeqësisht u prish, mesa duhet nuk ishin dakord që unë të bëja opozitë të vërtetë”, tha Shehaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›