TEL AVIV – Ushtria izraelite sulmon Pallatin Presidencial të Sirisë

DAMASK, 2 maj /ATSH/- Forcat ajrore të Izraelit goditën sot pallatin presidencial të Sirisë, pasi i paralajmëruan autoritetet siriane të mos marshonin drejt fshatrave të banuara nga anëtarë të një sekti minoritar në Sirinë jugore, sipas AP.
Sulmi erdhi pas disa ditësh përleshjesh midis personave të armatosur pro-qeveritarë sirianë dhe luftëtarëve që i përkasin sektit minoritar “Druze” pranë kryeqytetit, Damask. Përleshjet shkaktuan dhjetëra të vdekur dhe të plagosur.
Presidenca e Sirisë dënoi sulmin ajror izraelit, duke e quajtur atë një përshkallëzim të rrezikshëm kundër institucioneve shtetërore dhe sovranitetit të shtetit.
Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të qëndrojë pranë Sirisë, duke thënë se sulme të tilla shënjestronin sigurinë kombëtare të Sirisë dhe unitetin e popullit sirian.
Ky është sulmi i dytë i Izraelit në Siri brenda një jave, dhe sulmi ndaj një zone afër pallatit presidencial duket se dërgon një paralajmërim të fortë për udhëheqjen e re të Sirisë, e cila përbëhet kryesisht nga grupe islamike të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham.
Avionët luftarakë izraelitë godasin pallatin presidencial të Sirisë
Ushtria izraelite tha se avionët luftarakë kishin goditur zonën e Pallatit të Presidentit Ahmad al-Sharaa në Damask.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz thanë se sulmi ishte “një mesazh i qartë” për udhëheqësit sirianë.
“Ne nuk do të lejojmë dislokimin e forcave në jug të Damaskut ose ndonjë kërcënim për komunitetin Druze”, thuhej në deklaratën e përbashkët.
Media pro-qeveritare siriane tha se sulmi ishte raportuar pranë “Pallatit të Popullit” – rezidenca zyrtare e Presidentit të Sirisë.
Gjatë dy ditëve të fundit, ushtria izraelite tha se kishte evakuuar druzët sirianë që ishin plagosur në luftime. //a.i/