E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehi: Kjo krizë duhet zgjidhur plotësisht dhe jo pjesërishtNga Bledar LumaniDrejtuesi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, kërkon që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të bëhen së bashku. Shehi thotë në një intervistë për gazetën “Te

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shehi: Kjo krizë duhet zgjidhur plotësisht dhe jo pjesërishtNga Bledar LumaniDrejtuesi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, kërkon që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të bëhen së bashku. Shehi thotë në një intervistë për gazetën “TemA” se, viti që vjen do jetë shumë i rëndë për ekonominë shqiptare. Kryetari i LZHK flet dhe për Kuvendin e fundit të PD, mitingun e 8 dhjetorit, rolin e Berishës në tranzicionin shqiptar dhe aleancën PD-LSI

Zoti Shehi, prej disa muajsh vendi ndodhet në një krizë politike. Duke qenë se palët, si pozita, ashtu edhe opozita, nuk tërhiqen nga pozicionet e tyre, cila mendoni se është zgjidhja e duhur për të kapërcyer këtë situatë?

Unë gjykoj se për çdo lloj krize ka një zgjidhje dhe kompromis. Është paradoksale, por mendoj që këtë radhë kriza duhet që të kulmojë për t’u zgjidhur. Nuk do të më pëlqente dhe nuk do ishte e duhur që kjo krizë të zgjidhej pjesërisht, me ndonjë kompromis politik apo pazar, siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri me shkëmbime interesash. Në kuptimin që, ne bëjmë këtë tërheqje për hir të stabilitetit dhe ju, për hir të interesave evropiane të shqiptarëve, na jepni këtë pjesë të pushtetit. Pushteti nuk është vetëm qeveria, por ka edhe shumë elementë të tjerë. Kjo zgjedhje nuk do të më pëlqente, pasi praktikisht vetëm se sa do ta spostonte krizën për një moment tjetër dhe do ta rëndonte atë në vetvete. Nëse do të shprehesha me terma mjekësorë, këtu ka ardhur puna për kirurgji. Kjo lloj sëmundjeje, pra kriza, nuk zgjidhet më me ilaçe të përkohshme, pasi me ilaçe dhimbja të kalon vetëm për pak kohë. Gjykoj që kriza do t’i shtyjë palët drejt një zgjidhjeje, e cila duhet të jetë esenciale, për t’u marrë me problemet thelbësore të vendit. Jo se më këtë do të kalohet zgjidhja, por hyhet drejt një palë zgjedhjesh të ardhshme, të cilat mund të zgjidhin shumë probleme në Shqipëri. Me zgjidhje të pjesshme, ashtu siç ka ndodhur gjatë këtyre viteve, nuk do isha dakord, pasi rezultati ka qenë ky që është sot.

Zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhje?

Për situatën në të cilën ndodhet vendi, realisht mendoj se zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja më e mirë për vendin. Ne kemi zgjedhje administrative për një vit. Vendi ynë nuk e ka luksin që, për hir të kontrasteve politike, të bëjë zgjedhje një herë në vit dhe për këtë arsye mendoj që bashkë me zgjedhjet lokale të bëheshin edhe ato parlamentare. Do të ishte brenda logjikës së gjërave. Dua të them se, me tensionin që ka në Shqipëri, edhe zgjedhjet lokale do të jenë zgjedhje politike. Ne pas një viti nuk do të shkojmë të zgjedhim administratorët e komunave apo bashkive, por do të shkojmë të zgjedhim partinë. Fatkeqësisht ky është realiteti në Shqipëri, pasi pas kaq vjetësh zgjedhjet lokale duhet të ishin të shkëputura dhe të trajtonin tematika të ndryshme. Pra, unë jam i bindur që edhe zgjedhjet administrative do të jenë zgjedhje politike. Sa të zvarritet situata, gjykoj se do të ishte më e logjikshme që të bëhen edhe zgjedhjet parlamentare, bashkë me zgjedhjet administrative. Kjo do të bënte që edhe pretendimet e palëve, qoftë pala që kërkon hapjen e kutive, qoftë pala që do t’i mbajë me zor të mbyllura, të kishin një shans tjetër të verifikonin mandatin që i ka dhënë populli.

Realisht, mendoni se fatet e zgjedhjeve të 28 qershorit u vendosën nga vjedhja e votave?

Zgjedhjet e 28 qershorit më shumë sesa nga vjedhja e votave janë përcaktuar nga një ligj, i cili në mënyrë abuzive krijoi një bipartitizëm në Shqipëri. Për sa kohë që të jetë në fuqi ky ligj, ne, edhe nëse i përsërisim zgjedhjet, do të jemi përpara këtij rezultati. Nuk do jemi 70 me 70, siç ndodhi rastësisht këtë radhë, por 63 me 70, që për situatën shqiptare dhe për mentalitetin shqiptar do të ketë gjithmonë një qeverisje të vështirë dhe një mundësi kontestimi. Një vit mendoj se do të ishte i mjaftueshëm për të ndryshuar shumë gjëra nga ky Kod Elektoral për të ndryshuar atmosferën dhe klimën dhe për ta depolitizuar në mënyrë përfundimtare procesin zgjedhor, si largimi përfundimtar i partive nga Komisioni Zgjedhor, nga komisionet lokale, nga grupet e numërimit dhe gjithë sistemet e kontrollit. Duhet që këto procese të kryhen nga institucione të pavarura. Ndoshta mund të ketë mangësi nga ana kualitative, por të paktën për herë të parë zgjedhjet do të fitojnë precedentin pozitiv se mund të administrohen edhe jashtë sistemit partiak.

Rrezikon kriza politike që të ndikojë negativisht në liberalizimin e vizave?

Nuk mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Vetëm nëse do të rëndohet situata, mund të ndodhë kjo. Siç jam shprehur edhe gjashtë muaj më parë, kur forcat e tjera politike i përdornin vizat për efekt të fushatës elektorale, vizat do të liberalizohen në fund të vitit 2010. Gjykoj se atëherë mund të plotësohen dhe piqen gjithë kushtet, si pajisja me pasaporta biometrike dhe përmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare. Njëkohësisht, edhe komuniteti ndërkombëtar ka pasur një lloj precedenti ballkanik, duke qenë se janë liberalizuar vizat për tri vende të Ballkanit. Kjo lloj periudhe besoj do të shërbejë si një lloj përvojë për komunitetin evropian, se si do ndikojë liberalizimi i vizave. Pra, mendoj se vizat do të liberalizohen brenda vitit 2010. Do të liberalizohen brenda tre muajve, ashtu siç pretendon qeveria, do të jepen brenda gjashtë muajve, që do të ishte afati normal apo do të jepen në fund të vitit, kjo ka pak rëndësi. Vizat besoj do të liberalizohen brenda vitit që vjen, sepse praktikisht janë liberalizuar për të gjitha vendet dhe ne tashmë jemi të fundit. Për këtë arsye qeveria dhe politikanët duhet të ulin kokën, pasi nuk kanë asnjë arsye për t’u mburrur.

Përveç krizës politike, duket se vendi tashmë është futur edhe në një krizë ekonomike. Mendoni se kjo ka ndodhur për shkak të krizës globale apo keqqeverisjes?

Mendoj se qëndrojnë të dyja bashkë. Nuk mund ta mohojmë krizën globale, e cila në radhë të parë reflektohet te të ardhurat e emigrantëve. Ne kemi një numër të madh emigrantësh, pjesa me e madhe e të cilëve janë të përqendruar në dy vende, Greqia dhe Italia. Fatkeqësisht, Greqia ka hyrë në një krizë të madhe, ndërsa Italia nuk bën pjesë në vendet që ka një zhvillim të spikatur ekonomik. Ndodhet në një krizë ekonomike prej vitesh dhe është në një përqindje zhvillimi pothuajse zero. Nga kjo pikëpamje, kriza ka prekur në radhë të parë emigrantët shqiptarë. Kriza ekonomike tek ata nuk është thjesht mungesa e parave, por është mungesa e perspektivës, e cila shkakton edhe një situatë psikologjike të vështirë. Emigrantët tashmë tentojnë që t’i kursejnë ato pará dhe jo t’i sjellin drejt Shqipërisë. Shenjat e para janë dhënë, pasi për këtë vit të ardhurat e emigrantëve janë pakësuar me rreth 200 milionë euro. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, do të jetë shumë e rrezikshme dhe e frikshme për ekonominë e Shqipërisë.
Së dyti, që vjen sërish nga kriza globale, është mungesa e kreditit ndërkombëtar. Bankat dhe qeveritë që deri më dje ishin të gatshme të financonin projektet e Shqipërisë, tashmë janë tërhequr. Ndërkohë, duhet thënë se janë pakësuar investimet private, të cilat kanë zënë një peshë të madhe në ekonominë e vendit. Edhe bankat që ndodhen në vend, duke qenë se janë filiale të huaja, janë pjesë e krizës dhe nuk kreditojnë më. Borxhet e brendshme dhe të jashtme ndërkohë janë duke u rritur pas çdo viti. Ka dhe një rënie të ekonomisë së brendshme. Sektorët që kanë shërbyer si lokomotivë e ekonomisë sonë, siç është ndërtimi, kanë rënë. Nëse bie ndërtimi, kuptohet që bien edhe të gjitha shërbimet që janë rreth tij. Kriza ekonomike vihet re dukshëm këtë vit, pasi ka rënë ndjeshëm konsumi dhe entuziazmi i shqiptarëve.
Gjykoj se viti 2010 fatkeqësisht do të jetë një vit shumë i vështirë. Kjo do të ndodhë përveç krizës globale, edhe për disa elementë të dukshëm të keqqeverisjes. Qeveria harxhoi shuma të pafund parash në vitin 2009 për efekt të fushatës elektorale. U hapën dhe zhvilluan shumë tenderë, pa qenë e nevojshme, të cilat kanë mbetur borxh dhe nuk janë shlyer nga ana e qeverisë. Ndërkohë, po për efekt të fushatës elektorale, qeveria ngriti rrogat dhe pensionet, përtej kapacitetit real që mund të përballojë buxheti i shtetit shqiptar. Për arsye të gjithë këtyre elementëve, nëse i shtojmë edhe nivelin e lartë të korrupsionit, ne nuk do të kemi një ekonomi të qëndrueshme dhe ngritja e saj do të jetë shumë e vështirë. Që Shqipëria të dalë nga varfëria rritja duhet të jetë dyshifrore, ndërsa në fakt vendi ynë nuk kap as 5% të rritjes ekonomike.

Një tjetër fushë e kritikuar gjerësisht në Shqipëri është edhe drejtësia. A mendoni se kjo e fundit ka bërë punën e duhur gjatë këtij viti, sidomos në rastin e dosjeve më të ndjeshme për publikun, si ajo e Gërdecit apo rrugës Durrës-Kukës dhe a është ndikuar politikisht?

Mendoj se drejtësia shqiptare ka nevojë për një reformë të madhe dhe të thellë dhe të bëhet me një konsensus të madh politik, si dhe ndërhyrjen e faktorëve të tjerë. Me këtë drejtësi që ne kemi sot, unë kam frikë se vetëm fjala i ka mbetur drejtësi, pasi realisht ekziston shumë pak. Ju përmendët vetëm dy procese, por këtu ka me dhjetëra të tjera dhe nuk e di se në cilin rast drejtësia shqiptare ka dalë me kokën lart. Kur flas për drejtësinë shqiptare, kam parasysh gjithë sistemin. Ka shumë vite që flitet për një pavarësi të institucioneve të drejtësisë, por realiteti është i ndryshëm, pasi pavarësi nuk ka. Drejtësia shqiptare fatkeqësisht ka treguar një përkulje dhe servilizëm ndaj mazhorancës, të kësaj që është sot dhe të atyre që kanë qenë më parë gjatë këtyre 20 viteve. Rastet kur drejtësia ka dalë kundër interesave të politikës dhe mazhorancës, janë shumë të rralla. Këto dy vitet e fundit ka pasur raste ekstreme, kur përfundojnë pa u mbyllur procese, si ai i Gërdecit, ku vdiqën 26 persona, që edhe bagëti të kishin qenë, drejtësia do ta kishte marrë më seriozisht. Realiteti është që përgjegjësit kryesorë sot kapardisen në piacën shqiptare, politikisht dhe mediatikisht, dhe askush nuk mban përgjegjësi. Hetuesia është e lumtur që Gjykata e Lartë mori vendimin për mbylljen e procesit. Gjykata e Lartë është e lumtur, se zotërinjtë kanë imunitet dhe ne nuk mund t’i gjykojmë, kryeministri është i lumtur, se kemi një vendim të Gjykatës së Lartë për mbylljen e procesit. Presidenti është gjithashtu i lumtur, se këtu nuk ka formalisht asnjë lloj kontestimi zyrtar. Të gjithë e dinë si është e vërteta, të gjithë e dinë që ky është një krim i paprecedent në Shqipëri, e megjithatë të gjithë mbyllin sytë dhe bëjnë sikur nuk ka ndodhur kurrfarë gjëje, për hir të disa procedurave burokratike. Do të mjaftonte kjo lloj radiografie që i bëra këtij procesi, për të treguar se si ndodh me mijëra të tjerë, që mbyllen në këtë mënyrë. Unë do të isha i lumtur që drejtësia shqiptare do të kishte ndërhyrë në një cep të politikës dhe do të kishte dënuar realisht dikë me pushtet, sepse mosdënimi i politikanëve presupozon që në jemi shteti më i pastër dhe më i pakorruptuar në gjithë botën, që në realitet në fakt nuk është kështu. Kemi 20 vjet në demokraci dhe unë nuk mbaj mend, përveç dy viteve të para, që të kemi dënime të njerëzve me pushtet politik. Fatkeqësisht ky është realiteti shqiptar.

Qeveria aktuale nuk ka përmbushur premtimet e veta ndaj shtresës së ish-të përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë, si dhe ndaj ish pronarëve. Mendoni se do të zgjidhen ndonjëherë problemet e kësaj shtrese?

Unë shpresoj që për këto kategori, të cilat kanë qenë më të vuajturat në regjimin komunist, të ketë një shpresë dhe një të ardhme për rivendosjen e të drejtave të tyre. Të jem i sinqertë, nuk jam shumë optimist. Fatkeqësisht këto kategori gabuan dhe ia dhanë votën e tyre dy forcave të majta, atyre që janë në pushtet, PD dhe atyre që janë në opozitë. Tema e këtyre shtresave, sado që politikanët do të tentojnë t’i evitojnë, do të jetë prezente. Shqipëria po shkon drejt Evropës, por në Evropë nuk shkohet duke legalizuar pronën e tjetrit. Ky do të jetë një problem i vazhdueshëm, derisa të marrë një zgjidhje, të paktën të pranueshme, të paktën nga palët apo nga fryma evropiane, në të cilën ne pretendojnë të integrohemi. Nga kjo qeveri unë nuk pres asnjë lloj zgjidhjeje, sidomos për sa i përket çështjes së pronës.

Gjatë muajve të fundit është folur shumë për marrëveshjen ujore me Greqinë. Mendoni se qeveria jonë ka falur territor ujor?

Unë nuk marr përgjegjësinë e një eksperti në këtë fushë për të dhënë një mendim të drejtë. Megjithatë, në një gjë që është parimore, unë mendoj se është abuzuar. Përderisa firmoset një marrëveshje nga qeveria për këtë lloj problematike, që është një e drejtë kushtetuese, pasi askush nuk ka të drejtë të tjetërsojë territorin shqiptar, në një mungesë të plotë transparence dhe pa një debat publik, kjo në vetvete krijon idenë e një pazari ndërkombëtar, që ndërthuret me interesa lokale. Edhe në qoftë se kjo është marrëveshja më e mirë dhe më e sigurt për Shqipërinë, që nga momenti që bëhet fshehtas dhe nuk ka transparencë, sigurisht që kujtdo qoftë, sidomos njerëzve si puna ime, që janë dyshues për këto gjëra, i lind ideja e dyshimit se diçka fshihet. Do mjaftonte transparenca, që në fakt kjo qeveri nuk e ka, jo vetëm për këtë marrëveshje, por pothuajse për 90% të veprimtarisë së saj, që të eliminohej gjithë ky debat publik dhe përfshirje ndërkombëtare, e cila në fakt mund të rezultojë e dëmshme në vetvete, pasi është më mirë që mos ta firmosësh një marrëveshje, se sa ta firmosësh dhe të kthesh pas, pasi do të ketë reagime nga pala tjetër.

Në këtë kohë krize, shpenzimet e fundit të qeverisë, si ato për mitingun e 8 dhjetorit apo për spotet publicitare, nuk duket se janë të pamatura?

Më shumë se shpenzimet e mësipërme, të cilat në fakt janë të ekzagjeruara për një vend të varfër, mua më shqetëson tjetër gjë, pasi harxhimet dhe abuzimet e kësaj qeverie janë të një niveli shumë më të lartë se këto të fundit. Mua më shqetëson më shumë mënyra dhe mentaliteti i kësaj qeverie, e cila në vend që të shkojë drejt zgjidhjes së problemit, ta vërë gishtin mbi plagë dhe të tregojë të vërtetën dhe realitetin e ekonomisë shqiptare, mundohet ta mbulojë me propagandë të një stili të vjetër, siç bëhej këtu e 20 vjet më parë. Nuk më shqetëson shumë harxhimi i parave për propagandë, më shqetëson më shumë propaganda, e cila ka zënë vendin e analizës ekonomike, e debatit publik dhe arsyetimit logjik.

Duke qenë se jemi te mitingu i 8 dhjetorit, si e shpjegoni faktin e mungesës së atyre që kontribuuan për këtë ditë?

Kjo gjë, pra mungesa e figurave kryesore, ose të ashtuquajturve figura kryesore, mua nuk më shqetëson. Në fakt, 8 dhjetori ishte një lëvizje masive dhe popullore, duke qenë se ishte mbushur gota dhe duhej vetëm një pikë për t’u derdhur. Të jeni të sigurt që ajo do të derdhej, në mos më 8 dhjetor, më vonë. “Heroizmi” i disa personazheve, të cilët janë bërë zotër të historisë “heroike”, ishte rezultat i një sistemi që do të fundosej. Mua më shqetëson më shumë demagogjia boshe për të festuar, gjë që në fakt ishte për t’i treguar dhëmbët kundërshtarit, ngjyrimi që i është dhënë kësaj date, e cila duhej të ishte thjesht një festë popullore dhe asgjë më tepër. Besoj se ky miting shkaktoi efektin e kundërt. 8 dhjetori i këtij viti mua nuk më kujtoi 8 dhjetorin që kam jetuar 20 vjet më parë, por më kujtoi mitingjet e Partisë së Punës. Dhe kjo është e mërzitshme, që më trishton, jo mungesa e “heronjve” apo themeluesve, si ata kanë ardhur e kanë shkuar shumë. Mua më shqetëson fakti si përcillet realiteti në Shqipëri sot, pasi duket se nuk ka ndryshuar shumë nga 20 vjet më parë. Më kujton entuziazmin e masave popullore, të cilat përshëndesnin qeverinë dhe pushtetin, edhe pse pushteti ishte abuziv dhe monstruoz, si ai i para 20 viteve të shkuara. Pas 20 vjetëve, në vend që të reflektojmë për rrugën që kemi bërë gjatë kësaj kohe, po shkojmë prapa një idealizmi bosh, i cili nuk ka asnjë lloj vlere.

Si do ta komentonit Kuvendin e fundit të PD, ku nuk pati debat, ndërsa Berisha u votua në mënyrë plebishitare?

Gjykoj se ky Kuvend nuk pati asnjë lloj vlere dhe do të ishte më dinjitoze për ta që mos ta kishin zhvilluar fare. Mendoj se në realitetin, në të cilën ndodhet kjo parti, ky Kuvend nuk ishte i nevojshëm për t’u bërë, përveç burokracive që një herë në katër vjet duhet të zhvillohen zgjedhjet në parti. Nëse do të kishte pasur debat, mendoj se do t’i vlente diçka asaj sot. Megjithatë kjo është çështje e administrimit të partisë së tyre. Kanë zgjedhur këtë rrugë, pra të bërjes së mbledhjeve vetëm për formalizëm. Unë do t’u sugjeroja atyre që mos t’i bënin më këto mbledhje, pasi nuk kanë asnjë lloj vlere, ndërsa i bëjnë dëm edhe vetes, sepse i bëjnë qesharakë përpara shqiptarëve. Më mirë mos t’i zhvillojnë dhe në këtë mënyrë të ruajnë njëfarë serioziteti.

Ndërsa po flasim për PD, si do ta vlerësonit rolin e kreut të saj, Sali Berisha, gjatë kësaj periudhe tranzicioni në politikën shqiptare?

Berisha ka qenë dhe është njeriu më i pushtetshëm këto 20 vjet. Kuptohet, ashtu si gjithë personazhet e politikës, ka dritë-hijet e tij. Gjykoj se koha e Berishës tashmë ka mbaruar. Duket si qesharake kjo thënie, kur ky personazh është në kulmin e pushtetit. Por, vetë fakti që pas 20 vjetësh është prapë Berisha në krye të shtetit shqiptar, unë them se e zhvleftëson atë. Berisha padyshim do të mbetej në historinë shqiptare si personazh pozitiv, nëse do të ishte mjaftuar me lëvizjen demokratike dhe kontributin që ka dhënë në rrëzimin e komunizmit, sepse këtë gjë e ka bërë dhe e ka bërë me një lloj patosi më fort se të tjerët. Ndërsa Berisha i qeverisjes është ky i qeverisë së sotme, për të cilin gjykoj se komentet janë të tepërta. Unë them që forca e Berishës qëndron në eksperiencën e gjatë që ka në fushën e politikës, pasi, nëse ne të tjerët kemi 20 vjet eksperiencë, Berisha ka 40 vjet, sepse ka 20 vjet eksperiencë edhe në Partinë e Punës. Kjo duket si ironike, por është një lloj vlere për intriga në politikë dhe për të mbijetuar në situata të ndryshme. Është një investim që Berisha dhe disa të tjerë e kanë pasur në Partinë e Punës, ndërsa “fatkeqësisht” ne të tjerët nuk e kemi pasur.

Si do t’i vlerësonit sulmet e tij personale ndaj kreut të opozitës, por edhe ndaj disa bizneseve, që duket se janë afër opozitës?

Gjykoj se kjo është rruga më e gabuar dhe më e shpejtë e vetë-shkatërrimit. Nuk ka gjë më pak dinjitoze për një person që ndodhet në majë të gjërave, të zbresë në fund me dëshirën e tij dhe pa qenë fare e nevojshme. Berisha me sulmet e tij ka zhvleftësuar vlerat dhe personazhin e vet. Mund t’ia kishte kursyer këtë gjë vetes si personazh dhe partisë që drejton.

Koalicionin e tij me Metën e shihni të natyrshëm?

Sipas linjës që ndiqet gjatë 10 viteve të fundit në Partinë Demokratike, unë e shoh të natyrshëm, sepse nuk ka ndodhur asgjë e re. Kjo gjë ndodhi edhe para katër vjetëve me Xhuvelin. Pra, nuk ka ndryshuar asgjë, përveç dimensionit të partisë, siç është LSI, e cila është pak më e rëndësishme se ajo Agrare. Por filozofia dhe mentaliteti është i njëjtë. Sipas kësaj filozofie, qeveria dhe shteti shqiptar është njëlloj shoqërie aksionare, në të cilat ne ofrojmë votat tona dhe ndajmë pastaj interesat ekonomike. Pretendimet nuk janë politike, nuk janë të natyrës ideologjike apo programore, janë thjesht përqindje të pushtetit. Siç e patë dhe dëgjuat edhe vetë, LSI tha se kërkonte 20% të pushtetit për të bërë koalicion. Me përqindje ndahen vetëm shoqëritë tregtare.

E zhvleftëson kjo gjë votën e shqiptarëve?

Jo vetëm që e zhvleftëson moralisht, por tashmë e ka vënë në një dilemë të madhe popullin shqiptar, i cili, të jemi të sinqertë, për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve, nuk është se ka një qartësi të madhe politike. Në zgjedhjet e ardhshme votuesi shqiptar do të mendojë se, vërtet po votojmë për X parti apo politikan, por realisht a do të përfaqësojë më pas ai atë krah. Sepse gjatë këtyre viteve janë krijuar precedentë të shumtë, si ky i fundit me LSI. Dhe, në vend që të jetë një akt i kritikueshëm, praktikisht shitet në popull si një akt patriotizmi, zgjidhje e problematikës së madhe shqiptare, kontribut për evropianizimin e Shqipërisë etj. Në fakt është krejt e kundërta. Është një kthim prapa në biznesin meskin të politikës, pra, që interesat personale të partisë dhe grupit që përfaqëson, janë përpara interesave të Shqipërisë. Këto që thonë, integrimi në Evropë dhe gjërat e tjera, janë të kota dhe të panevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›