Shehu: Benelux-i ballkanik kundër interesave shqiptare

Në pyetjen se në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm, si e konsideroni diskutimin e hapur së fundmi për krijimin e një "Beneluxi" ballkanik midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, Shehi u përgjigj: Në impaktin e parë çdo projekt i cili synon forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të ndryshme, në një mendje normale tingëllon si një hap pozitiv dhe që duhet marrë në konsideratë. Ky është impakti i parë, më tej një politikan fillon të analizojë se sa ky është një projekt realisht i realizueshëm, apo çfarë implikacione mund të krijojë, në një periudhë të caktuar kohore apo ambjent gjeografik, politik e social të dhënë.
Nga ana tjetër menjëherë fillohet të analizohet se si interferon ky projekt me projektet e tjera, mbi të cilat bazohen interesat madhore e strategjike të vendit, të rajonit, në marrëdhëniet me partnerët strategjikë, me të cilët kërkohet të realizohen këto projekte parësore etj, si dhe me elementë të tjerë më tej, qoftë këto ekonomike, qoftë politike, sociale, historike etj. Pra kështu kërkohet të arrihet në një konkluzion për mundësinë e implementimit, apo qoftë dhe për utilitetin ose jo të një projekti, pra për marrjen ose jo në konsideratë të tij.
Pa asnjë dyshim që është aspirata e madhe për të qenë pjesë e BE. Impakti me këtë aspiratë duhet të jetë dhe kriteri i vlerësimit kryesor për mbështetjen ose jo, qoftë dhe në teori, të të tilla mendimeve, si ai i "Beneluxit" ballkanik. Shqipëria dhe shqiptarët në rradhë të parë, nuk mund të konsiderojnë si të dobishëm asnjë projekt tjetër kompleks e voluminoz si ky, që nuk sinkronizon ngushtësisht me këtë aspiratë. Hapësira shqiptare është pjesë e Perëndimit dhe veten e tyre shqiptarët e shikojnë vetëm në Perëndim. Ky nuk është thjesht një nocion gjeografik për ne, por shumë më tepër. Këtu, si një parantezë, përfitoj nga rasti për të replikuar me ndonjë shprehje, që kam dëgjuar së fundmi dhe që tenton ta quajë Shqipërinë apo shqiptarët as Lindje as Perëndim, ose diçka midis tyre.
Kjo më kujton idetë e Ramiz Alisë në vitet '89 e '90, kur hidhte të tilla teori të rrezikshme për përkatësinë tonë, veçse për të shpëtuar mbeturinat e komunizmit në Shqipëri. Shqiptarët në të gjithë historinë dhe trojet e tyre mijravjeçare kanë qenë veçse pjesë e Perëndimit, pjesë aktive e tij e disa herë dhe mburojë e tij. Vetëm në dy epoka ne me dhunë jemi ndarë nga Perëndimi, gjatë pushtimit otoman e atij komunist. Por asnjëherë dhe në momentet më të vështira ne nuk kemi ndërprerë lidhjet dhe shpresat nga Perëndimi. Shqiptarët i përkasin veçse Perëndimit dhe si të tillë aspirata jonë e madhe është të jemi pjesë integrale e tij, pra pjesë e BE.