E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli i gatshëm të largohet nga koalicioni me Thaçin

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se pranon të tërhiqet nga koalicioni aktual, nëse një gjë e tillë kërkohet nga kryeministri Hashim Thaçi.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është i gatshëm ti përgjigjet pozitivisht çdo kërkese të kryeministrit Hashim Thaçi për prishje të koalicionit aktual.

“Nëse kryeministri në të ardhmen dëshiron që të ketë një partner tjetër të koalicionit, ne jemi të përgatitur që t’i marrim plaçkat dhe të shkojmë. Asnjëherë nuk kam qenë kundër që kjo të ndodh. Nëse kjo ndodh kontributin tonë do ta japim nga opozita”, ka deklaruar Pacolli në një intervistë për TV21.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese që presidenti i vendit të ketë mandat pesë vjeçar, Pacolli këmbëngulë në zbatimin e marrëveshjes së arritur midis tij, kreut të PDK-së dhe atij të LDK-së. Ai beson që presidentja Jahjaga do të tërhiqet nga ky post.

“Presidentja do ta respektojë marrëveshjen dhe do të tërhiqet”, ka thënë ai.

Ndërsa, lidhur me dialogun e mundshëm politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Pacolli konsideron se duhet të bisedohet si dy shtete të pavarura, pa e cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Dialogu është normal dhe u përket shoqërive të civilizuara. Me dhunë nuk arrihet asgjë. Nëse dialogon me dikë, nuk do të thotë që e cenon sovranitetin tënd dhe prek kufijtë e shtetit”, ka thënë Pacolli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›