E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Më kundërshtoni se jam mik i Bamir Topit

Kandidati i propozuar nga Topi për kreun e KLSH-së, Sali Shehu, përplaset ashpër me deputetët e PD-së, ish-kolegë të tij në Komisionin e Ekonomisë. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku u organizua një seancë dëgjimore për emrin e dekretuar nga kreu i shtetit, Sali Shehu foli edhe për propozimin që i bëri Kryeministri dy ditë më parë për tu tërhequr. Ai tha se ky qëndrim i kreut të qeverisë ka ardhur për dy arsye. Këtë kundërshtim e shoh në këtë mënyrë: ose kam qenë kundërshtar i hapur i ndryshimeve kushtetuese për të cilat koha më ka dhënë të drejtë, ose jam mik i Bamir Topit, u shpreh Shehu. Pasi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të PD-së, ai replikoi në distancë me Kryeministrin, duke kujtuar të shkuarën e tij, kryesisht gjatë vitit 1998. Mbrëmë në darkë, për të qenë i sinqertë me ju, pas një analize të gjatë që kam bërë me vete në shtëpi mbasi kam dëgjuar mikun tim Sali Berisha të më ftojë të jap dorëheqjen nga një detyrë për të cilën jam i gatshëm të jap dorëheqjen për ti shërbyer shtetit, më dolën disa pyetje. Thashë: pse më thotë Sali Berisha të jap dorëheqjen, se më 14 shtator dola nga zyra dhe shkova e i thashë që do shkoj të mbroj shtetin dhe lashë familjen time? Sepse më 14 shtator dola me një çadër në varrimin e Azem Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg? Apo pse fitova dy beteja të rëndësishme në Dibër me Paskal Milon, që e përshëndes për qëndrimet e mbajtura prej tij? Apo se fitova në Bulqizë? Apo se kam qenë 8 vjet anëtar i një komisioni të rëndësishëm?. Sipas deputetit Flamur Noka, ky qëndrim kundërshtues nuk është ndaj individit Sali Shehu, por ndaj faktit se Presidenti nuk është konsultuar me Kuvendin për emërimin në KLSH. Këtij qëndrimi të Nokës, Shehu i është përgjigjur duke i thënë: Nuk mi gjykon dot ti, Flamur, aftësitë profesionale. Ti ke ardhur, ke mbajtur banderolat tek unë. Je në terezi apo jo? Bile ke bërë gabim që ke ardhur këtu.                      Nertila Maho

Adriana Gjonaj: Faleminderit, zoti Shehu, që jeni sot në këtë komision për të paraqitur vizionin tuaj për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ekspozenë që bëtë. Unë kam këto pyetje: Si e mendoni ju marrëdhënien ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë? Në përgjithësi kallëzimet e KLSH-së në Prokurori kanë dështuar. Pse mendoni se ndodh kjo? Kush e ka fajin dhe si mendoni ju të bëni që kallëzimet tuaja të gjejnë zbatim përmes organit të Prokurorisë? E dyta, duke parë CV-në tuaj, shoh që ju keni arritje të dëshirueshme për këto këtu, apo jashtë në drejtim profesional dhe drejtim politik. Keni qenë për tetë vjet deputet i këtij Parlamenti, keni qenë dhe në poste të tjera të larta të profesionit tuaj. Sidoqoftë, ju i keni dëgjuar komentet e këtyre ditëve dhe do doja të dija në mënyrë të sinqertë: ndjeheni ndopak i keqpërdorur?

Igli Cara: Në fjalën tuaj thatë që institucioni i KLSH-së është i pavarur. Duke parë CV-në tuaj, shoh që jeni diplomuar në Akademinë e Policisë dhe për Juridik. Si mendoni ta realizoni këtë detyrë duke pasur parasysh që nuk jeni diplomuar as në ekonomi dhe as në financë nuk keni njohuri? Cilat janë modelet e sistemit të kontrollit që ju njihni? Cili është modeli që ju implementoni? Dhe nëse keni një koment për gjykatën e llogarive që dikur është komentuar. Dhe në shtim të asaj që tha zonja Gjonaj, mendoni që duke qenë se keni një karrierë në Partinë Demokratike, a mendoni që përbën problem që pretendoni të bëheni drejtues i një institucioni të pavarur?

Sybi Hida: Doja të dija mendimin tuaj lidhur me transformimin e KLSH në një gjykatë llogarie. Ka pasur një debat edhe nga kryetari aktual nëse mban postin dhe sot për të ndryshuar statusin e KLSH-së nga KLSH, në një gjykatë llogarie, duke i njësuar ato me disa praktika të vendeve të Bashkimit Europian. E dyta, e paraqitët edhe vetë që auditi i brendshëm është në kundërshtim me KLSH dhe me performancën publike. Në këtë këndvështrim doja të dija mendimin tuaj lidhur me raportet që ka ligji i sapomiratuar në Parlament para disa kohësh për inspektimin financiar. Çfarë ka dublim nga KLSH dhe çfarë pozicioni duhet të ketë KLSH në këtë ligj?

Edmond Spaho: Zoti Shehu, KLSH raporton në Komisionin e Ekonomisë dy herë në vit, njëherë për aktivitetin e tij profesional dhe njëherë për buxhetin faktik. Ka pasur rezerva lidhur me mënyrën e paraqitjes dhe thelbit për buxhetin faktik. Analizën dhe mënyrën e ekspozimit të problemeve jo vetëm këtu në Komision, por dhe nga institucione të tjera, do doja të dija çfarë ndryshimesh duhen bërë për tiu përshtatur praktikave të BE-së dhe veçanërisht Drejtorisë së Buxhetit lidhur me të. Së dyti, lidhur me kontrollin e përformancës, sipas nivelit të njohurive që keni ju, në çnivel ndodhet KLSH dhe çfarë ndryshimesh duhen bërë që të arrihet te niveli i performancës, pasi shpesh ne ngelemi në kontrollin ekonomiko-financiar në kuptimin klasik?

Gjok Uldedaj: Pyetja e parë: një mendim tuajin lidhur me punën që ka bërë KLSH gjatë këtyre viteve dhe a mendoni që KLSH ka rregullime ligjore? Cilat janë disa nga këto rregullime që mendoni se rrisin performancën? Pyetja e dytë: thatë që ka një dublim mes auditit dhe KLSH. Ku i shihni këto dublime dhe cilat janë eksperiencat e vendeve të tjera në këtë drejtim?

Ilir Bejtja: Zoti Shehu, deri tani kemi parë një KLSH të zhveshur qoftë nga pikëpamja e kompetencave përsa i përket asaj çka duhet të induktojë në organet shtetërore dhe të nëpërkëmbur, që është anashkaluar në shumë raste me akte nënligjore, me ngritje institucionesh të tjera auditi që e nxjerrin pak në hije. Si e mendoni rolin e ardhshëm nën drejtimin tuaj të KLSH? Do të jetë po në të njëjtat pozicione si sot, apo mendoni që duhet të ketë një tjetër të ardhme më ekzekutive dhe më operativ?

Andis Harasani: Kisha një pyetje për kryetarin e Komisionit. Kam gjashtë vjet që jam anëtar i Komisionit, kemi kaluar shumë institucione të pavarura dhe shumë kandidatë. Të paktën 12 herë ka qenë zoti Çeku këtu. Nuk kam parë asnjëherë që ti bëhen pyetje të tilla. Pyetje qoftë të karakterit emotiv, qoftë shumë teknik. Çfarë ka ndodhur që ka kaq shumë pyetje me karakter kaq teknik dhe kaq specifik për zotin Shehu? Rëndësinë për KLSH-në e keni njësoj si opozita dhe pozita. Keni gjashtë vjet në pozitë, por çfarë ka ndodhur sot që jeni bërë kaq të interesuar për performancën, për operacionet teknike ditore të KLSH?

Edmond Spaho: Sikurse e pe dhe dje, procedura është e njëjtë, angazhimi i deputetëve dhe kolegëve është i njëjtë dhe dje tri orë u morëm me emërimet në BSH. Në të njëjtën rrugë do të vazhdojmë dhe sot, në mënyrë që të krijojmë institucione sa më profesionale.

Albana Vokshi: Unë shoh që ju keni bërë një master, tema e së cilës është: Përdorimi i detyrës, korrupsioni aktiv dhe pasiv, lufta kundër korrupsionit. Përveç kësaj pjese, cila është ajo pjesë e eksperiencës profesionale që mendoni se do tju ndihmojë më shumë në rast se ju merrni votëbesimin për tu bërë kryetar i KLSH-së? E dyta, a mendoni ju që brenda këtij institucioni ka korrupsion dhe nëse po, cilat janë garancitë tuaja që ju do ta luftoni? Si do ta kontrolloni dhe auditori këtë institucion?

Ledina Aliolli: A mendoni se ka nevojë për përmirësime në ligjin organik të KLSH, në mënyrë që të arrijë standarde ndërkombëtare? Çmendoni se do të ndryshoni ju? Cili do të jetë kontributi juaj në kuadrin rregullator më të cilin KLSH funksionon konkretisht në proceset e kontrollit për ti përsosur më tej ato? Së treti, cilat janë kushtet që KLSH do të krijojë për të zhvilluar më tej auditimin e performancës dhe zhvillimin e fushave të kontrollit financiar? Unë vlerësoj së tepërmi anën tuaj profesionale dhe CV-në tuaj,

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›