E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: PS, përpjekje si ato të 97-s për rrëzimin e pushtetit

Intervistë me deputetin e PD-së, z. Tritan Shehu

Nisi si larje hesapesh brenda PS-së dhe pas humbjes së 28 qershorit të 2009-s, po shndërrohet në një përpjekje të hapur si ajo e 97-s për të rrëzuar pushtetin legjitim. Këtë konstatim bën deputeti i PD-së, Tritan Shehu, duke e dënuar ashpër qëndrimin ekstrem të së majtës për skenarin cinik, i cili sipas tij, e gjen veten të modeli i rebelimit komunisto-mafioz të vitit të mbrapshtë 1997. Sipas z. Shehu, ky është një element, për të cilin duhet të qartësohet qoftë opinioni i brendshëm, qoftë ai ndërkombëtar. Në këtë intervistë për standard, politikani i djathtë analizon situatën politike në vend, duke drejtuar gishtin tek përgjegjësit për ngërçin 9-mujor, por edhe zgjidhjet përmes kornizës kushtetuese. Tritan Shehu, i cili mbështet rifillimin e dialogut Berisha-Rama, por në gjykimin e tij të mirëmenduar mirë për të qenë produktiv dhe jo i dështuar si ai në Presidencë, pranon faktin se është i vështirë komunikimi me një kundërshtar që ka zgjedhur metodat revolucionare për të marrë pushtetin. Z. Shehu përdor argumentet për të kundërshtuar politikën bllokuese të z. Rama, të cilit i kujton: Ata që po drejtojnë këtë grevë dhe që po keqpërdorin kolegët e tyre, duhet të kuptojnë qartësisht se e tërë përgjegjësia, n.q.s. ndodh diçka e keqe, do të bjerë mbi ata, qoftë kjo politike, morale apo ligjore. Për këtë nuk ka asnjë rëndësi fakti që organizatorët e vërtetë flenë në shtëpitë e tyre, hanë tri herë në ditë në restorantet më të mira, bile zgjedhin me kujdes dhe markën e verës, që pinë. Kjo e shton primitivitetin e kësaj iniciative.

Z. Shehu, profesioni i parë juaji është ai i mjekut dhe nisur nga pozicioni juaj i mëparshëm, a ndiheni keq kur shikoni qytetarë të ndryshëm dhe aq më tepër kolegët tuaj deputetë të futur në një grevë urie?

Sigurisht që ndihem keq kur shoh që kolegët e mi deputetë apo mbështetësit e tyre që kanë ndërmarrë një vendim kaq ekstrem dhe shpreh keqardhjen time në këtë rast.

Dhe cila është këshilla juaj mjekësore për ta?

Së pari do ti këshilloja që të jenë racionalë ashtu si ata vetë i kanë këshilluar të tjerët dikur. Kjo do të thotë të ndalojnë menjëherë këtë aventurë të rrezikshme politike si dhe për shëndetin e tyre. Këtë këshillë ua jap dhe si koleg në politikë dhe si mjek. Së dyti, të jenë bashkëpunues me sistemin e shëndetësisë përderisa janë në atë grevë. Deri tani nuk kanë qenë të tillë. Përkundrazi, janë treguar shumë hermetikë dhe mosbashkëpunues. Unë do të thosha se veçanërisht ata që po drejtojnë këtë grevë dhe që po keqpërdorin kolegët e tyre, duhet të kuptojnë qartësisht se e tërë përgjegjësia, n.q.s. ndodh diçka e keqe, do të bjerë mbi ata, qoftë kjo politike, morale apo ligjore. Për këtë nuk ka asnjë rëndësi fakti që organizatorët e vërtetë flenë në shtëpitë e tyre, hanë tri herë në ditë në restorantet më të mira, bile zgjedhin me kujdes dhe markën e verës që pinë. Kjo e shton primitivitetin e kësaj iniciative.

Keni tentuar tu telefononi deputetëve socialistë në grevë?

Unë dje bisedova telefonikisht me disa nga kolegët e mi në atë grevë, duke u shprehur shqetësimin tim për shëndetin e tyre dhe për strategjinë e gabuar, që po aplikojnë. Çdo gjë ka një limit dhe logjikë, të cilat veçanërisht një deputet nuk duhet ti tejkalojë.

Prej 9 muajsh kemi të bëjmë me një situatë politike bllokuese deri diku plot pasoja për vendin. Konkretisht, cilat janë ato?

Po, është e vërtetë se prej shumë muajsh jemi përballë një situate politike jonormale në vend. Është një situatë, që synon të bllokojë jetën politike dhe që e ka origjinën brenda PS-së ose më mirë është pjellë direkte e lidershipit të saj më të lartë. Në të vërtetë, dua ta them që në fillim, kjo gjendje nuk ka arritur të bllokojë jetën institucionale në vend, gjë që vazhdon në rrugën e reformave, bërjes së ligjeve, integrimit. Kjo krizë politike ekziston brenda opozitës, u përket vetëm atyre, është krijuar artificialisht nga ajo dhe realisht në radhë të parë dëmton atë vetë. Pa dyshim, nuk mund të mohohen si pasojë dhe efekte dëmtuese të të gjithë politikës shqiptare. Veçanërisht nuk mund të mohohen efekte negative në imazhin e vendit ndaj komunitetit ndërkombëtar.

... Dhe për çfarë arsye?

Mendoj se janë disa: Së pari do të vendosja një ndryshim të thellë filozofik të PS-së. Kjo parti po zhvendoset në mënyrë shqetësuese nga një plan liberal, që po fitonte disa kohë më parë, në një plan autokratik të brendshëm. Kjo ka imponuar ose është shoqëruar dhe me elementë të tjerë, që janë ata të tendencës së vendosjes së një filozofie të tillë, jo vetëm brenda partisë, por dhe në planin kombëtar. Domethënë, kërkohet të arrihet në pushtet me mjete jodemokratike, revolucionare, gjë që është karakteristikë e filozofisë autokratike. Dukshëm kjo filozofi dominuese autokratike në PS është e shoqëruar me nuanca të thella anarkiste, të cilat kanë afektuar thellësisht strategjinë e taktikat e saj. Këto në fillim u shfaqën si dukshmëri të luftës së brendshme për pushtet brenda saj, pas humbjes së zgjedhjeve politike. Por tashmë është e qartë se kemi të bëjmë në PS me një filozofi të tillë globale, dominuese, e cila duke u zgjeruar, mbart në vetvete shumë rreziqe për sot dhe nesër, për atë si parti dhe vendin në përgjithësi.

Një udhëkryq, që nuk po i gjendet rrugëdalja...

Kjo gjendje të çon direkt më tej në të gjitha qëndrimet strategjike e taktike të asaj force politike, që kanë synime të qarta, në kundërshtim të plotë me interesat e demokracisë dhe të vendit: Goditja e institucioneve dhe e jetës normale të qytetarëve. Rritja artificialisht e tensioneve politike, gjë që i shërben dhe greva e urisë e organizuar tashmë. Bllokimi i proceseve integruese dhe procesit të liberalizimit të vizave për të ngjallur pakënaqësi te njerëzit. Goditja e zhvillimit ekonomik të vendit e shtimi i vështirësive të tilla, duke shfrytëzuar edhe pasojat e krizës botërore. Pa dyshim ky është një skenar cinik, i cili, për të qenë të qartë, e gjen veten të modeli i rebelimit komunisto-mafioz të 1997-s. Ky është një element, për të cilin duhet të qartësohet qoftë opinioni ynë i brendshëm, qoftë ai ndërkombëtar.

Pra, ju thoni se kjo është çështje pushteti nga Rama dhe jo kutish votimi?

Për mua kjo nuk ka asnjë dyshim. Këtë e kam thënë që në fillim. Po kështu ka qenë dhe është i qartë edhe thelbi i metodave revolucionare, të cilat synojnë deri në bllokimin e procesit të ardhshëm të zgjedhjeve lokale. Në mënyrë aparente kjo nisi si një çështje pushteti brenda PS-së, larje hesapesh aty. Tashmë është kthyer në një filozofi e përpjekje antidemokratike globale për të fituar atë që u humb nga vota e qytetarëve, nëpërmjet destabilizimit, mosbindjes qytetare ndaj ligjit dhe institucioneve. Mendoj se kjo ka një emër dhe që është tentativë për të goditur demokracinë. Në këtë prizëm kjo u ngjan përpjekjeve të 1997-s. Kutitë, transparenca etj. janë alibia e asgjë tjetër. N.q.s. do të ishin këto qëllimet e vërteta, do të shfrytëzoheshin rrugët legale, institucionet, pjesëmarrja në ato, gjykatat deri të Gjykata Kushtetuese, ashtu si janë dhe të gjitha rekomandimet edhe të ndërkombëtarëve. Pra, këtu kërkohet të goditet rendi kushtetues, të zëvendësohen zgjedhjet demokratike me marrëveshje të imponuara në tavolinë ose me dhunën e rrugës.

Pse nuk i drejtohet mazhoranca Gjykatës Kushtetuese, meqenëse nuk po e bën opozita?

Sepse nuk ka pse ti drejtohet. Ai që rivendikon një ligj apo një proces, duhet ti drejtohet drejtësisë. PD-ja e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve në tërësi edhe në ato qarqe ku mendon se është penalizuar. Për këto ajo ndërmori hapat ligjorë përkatës, por kërkesat e saj për rinumërim u hodhën poshtë nga KQZ-ja e Kolegji. PD-ja në mënyrë shumë demokratike e pranoi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›