Sheikët duan Milanin? Vjen përgënjeshtrimi i kuqezinjve
Pronari i Sitit, pas Kakasë, do të donte të blinte 40 për qind të Milanit: gati një investim 500 milionë euro për të ringritur klubin kuqezi. Milani përgënjeshtron menjëherë. Prej kohësh, Mansur Bin Zajed dëshiron të investojë në futbollin italian, ku ka edhe shumë interesa të tjera. Në fillim donte Ronaldinjon (kur ishte ende te Barcelona), pastaj Bufonin (që e do akoma!), bëri një ofertë të çmendur për Kakanë (që iu refuzua), në fund ka shprehur një mendim për Paton. Por tani ka një ide të madhe, do Milanin. Lajmi u botua në disa tabloide britanike dhe u morr edhe nga "Corriere della Sera". Më pas, u pasurua edhe me detaje të tjera. Flitej për një ofertë të mrekullueshme, rreth 500 milionë euro për 40 për qind të aksioneve të skuadrës. Një ofertë e çmendur, e cila mendojmë se nuk është në një linjë me perspektivën e tregut. Më parë Mansur donte të shpenzonte rreth 150 milionë euro (taksa, rroga dhe kartoni, gjithçka e përfshirë) vetëm për Kaka, shto këtu 350 milionë mendon të marrë 40 për qind të Ronaldinjos, Bekhamit, Patos, Pirlos, Sedorfit dhe gjithë të tjerëve, plus prona të paluajtshme, markën, etj. Në fakt duhet pak reflektim: bëhet fjalë për një lumë parash, kur mendon se klubi vlen 900 milionë euro dhe që sezonin e fundit e ka mbyllur me një bilanc negativ prej 32 milionë eurosh. Por do të ishte një rast i madh për Berluskonin, i cili bezdiset gjithnjë e më shumë nga krijesa e tij sportive, që kërkon gjithnjë e më shumë financime. Për një moment u duk se Berluskoni do të hiqte dorë, edhe pse vetëm pak kohë më parë e kishte quajtur Milanin "një çështje zemre". Dje të gjithë menduan "Kavalieri" u lodh nga shlyerja e borxheve të klubit dhe tashmë, pas 23 vitesh në drejtimin e kësaj skuadre, mund të ketë ndryshuar mendje. Sipas raportit të "Deloitte", të publikuar vetëm pak javë më parë, Milani është skuadra e parë në Itali për sa i përket bilanceve me humbje (210 milionë euro në sezon). Ndërsa renditet në vendin e nëntë në Evropë. Sheiku Mansur është ambientuar të blejë gjithçka që ai do: nuk e ka problem ta bëjë. Gjëja e fundit që mund t‘i mungojë, janë paratë. Pak kohë më parë, ftoi Milanin për një miqësore në Dubai, ku sheiku zotëron edhe të gjitha kredencialet: ka një pasuri prej rreth 20 miliardë eurosh dhe që nuk e ka problem të humbasë një milion euro në ditë. Menjëherë pas lajmit ka reaguar klubi i Milanit, i cili ka përgënjeshtruar gjithçka: "Në lidhje me lajmin për një shitje të mundshme të disa aksioneve nga Fininvest e A.C. Milan, theksojmë se nuk ka asgjë të vërtetë". Po ashtu lajmi është përgënjeshtruar edhe nga Fininvest, që për momentin është një nga aksioneret e klubit kuqezi italian, së bashku me Kryeministrin aktual, Silvio Berluskoni. "Fininvest Sh.a., lexohet në komunikatën e tyre, përgënjeshtron në mënyrën më kategorike të mundshme, lajmin e botuar në gazeta, për një shitje të mundshme të aksioneve të Milanit". A do të jetë kështu? Vetëm koha do të na e thotë të vërtetën.