E Diel, 1 Nëntor 2026

Pango: Zgjedhje të suksesshme në plot 29 federata sportive

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, anatemon problemet në federatat e Gjimnastikës e të Mundjes dhe e përkufizon si të suksesshme zgjedhjen në 29 federata sportive. Sipas tij, në morinë e asambleve, vetëm njëra prej tyre është kontestuar dhe një tjetër është quajtur e parregullt. "Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar zgjedhje në 29 federata dhe nëse e keni vënë re nuk kanë pasur kontestime. Nuk është pak, kam firmosur 29 statute", sqaron ministri. "Zgjedhjet janë bërë të rregullta dhe tani të gjitha federatat janë në funksion të plotë, përjashtim bën gjimnastika, ku ka ankesë Flobens Dilaveri. Por, në bazë të relacioneve që kanë ardhur në MTKRS, në zgjedhjet e zhvilluara, ku president u zgjodh z. Biberaj, nuk ka pasur asnjë parregullsi dhe kanë marrë pjesë anëtarë me të drejta vote. Më vonë janë bërë disa zgjedhje të tjera nga z. Flobens. Nuk kanë marrë pjesë anëtarët, por kanë qenë zgjedhje të pjesshme. Për këtë arsye, unë si ministër do të njoh zgjedhjet e plota. Ne kemi rol monitorues, nuk kemi rol ndërhyrës". Pango pranoi se institucioni i tij është gati të vërë përballë të dyja palët që pretendojnë se janë fitues te Gjimnastika dhe Asambleja e tyre është e ligjshme. Gjithsesi, ministri bën të ditur se i ka kërkuar edhe Federatës Botërore të Gjimnastikës, "që të vijnë dhe të shikojnë gjendjen këtu, të njihen me dokumentacionin përkatës, pasi nuk mund të gjykosh në bazë të një ankese". Po ashtu, Pango ka pranuar se janë konsideruar të parregullta zgjedhjet në Federatën e Mundjes, ku, sipas tij, zgjedhjet janë shtyrë dhe do të zhvillohen në një datë tjetër. Më pas, ai ka dhënë sqarime në lidhje me rolin e MTKRS-së, të cilin e konsideron brenda rregullave: monitorues dhe jo ndërhyrës. Kështu që Pango pretendon se në të gjitha rastet, ministria e tij nuk e ka cenuar pavarësinë e federatave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›