Shemben në mes të ditës dy ndërtesa në Pazarin e Korçës

Ndërtesat e shembura te Pazari në Korçë
KORÇE – Pazari i Korçës, i cili ruan zanafillën e vet të një qendre tregtare, tashmë është duke humbur dita-ditës vlerat e veta. Në kohën kur Bashkia e qytetit po rindërton rrugët karakteristike të kalldrëmta në këtë pjesë, ndërtesat shumëvjeçare përveçse janë amortizuar po shemben njëra pas tjetrës. Ende nuk dihet saktësisht nëse shkak i shembjes është faktori natyrë apo edhe ato janë preja e radhës e skrapomanëve. Pas shembjes së Shtëpisë së Flamurit tashmë shemben brenda së njëjtës ditë edhe dy ndërtesa karakteristike të Pazarit të Vjetër të Korçës, duke i humbur qytetit vlerat madhore të historisë së tij, të cilat e kanë identifikuar ndër vite. Ditën e djeshme, rreth orëve të mesditës, banorë të zonës kanë sinjalizuar shembjen e dy prej ndërtesave të amortizuara të këtij pazari, të cilat u shndërruan në pirgje materialesh inerte. Shembja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 12:00, ndërkohë që banorët e zonës janë shprehur të frikësuar nga rreziku që u kanoset atyre që jetojnë në ndërtesat e tjera një dhe dykatëshe. “Ishim duke qëndruar këtu kur dëgjuam një zhurmë të tmerrshme, a thua se ra tërmet. Dolëm të alarmuar ngaqë fëmijët po luanin përjashta dhe një Zot e di sa jemi trembur. Mund të kishin ngelur mes gurëve të këtyre ndërtesave. Ne banojmë në disa prej këtyre ndërtesave dhe ato janë shumë të amortizuara, çdo ditë kemi frikë se mos na zënë brenda. E dimë që këto shtëpi janë me vlera historike, por askush nuk ka venë dorë, bëjnë rrugët dhe harrojnë shtëpitë që po bien me radhë”, u shpreh Teuta Lale, një nga banoret. Sakaq mësohet se policia ka nisur hetimet në dy pista, atë të shembjes si pasojë e amortizimit dhe pistën e shembjes si pasojë e ndërhyrjeve në ndërtesë për nxjerrjen e skrapit, ku kjo e fundit është duke u hetuar intensivisht. Pas sinjalizimit të banorëve, policia ka njoftuar edhe Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës, nga e cila ende nuk ka pasur asnjë reagim për lënien në harresë të këtyre ndërtesave, por edhe sulmin e mundshëm të nxjerrësve të skrapit. Në këtë pazar pak kohë më parë mësohet të jenë shembur edhe dy ndërtesa të tjera, por pavarësisht denoncimit të banorëve, nuk është zbuluar arsyeja reale e kësaj shembjeje. dh.d