E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet pjesërisht hoteli në zonën e Golemit, plagosen 5 nxënës kosovarë

GOLEM(UPDATE)- Një ngjarje e rëndë është shënuar pak më parë në zonën e plazhit në Golem. Një hotel 4 katësh është shembur pjesërisht, duke rrezikuar jetën e personave që ishin në të.

Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes mësohet se janë lënduar 5 nxënës kosovarë, nga 60 gjithsej, të cilët ishin prej disa ditësh në këtë hotel për të pushuar. Prej tyre, vetëm një vajzë është transportuar në spitalin e qytetit të Durrësit dhe për fat, sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

"Vajza ka frakturë thyerje dhe gervishtje në këmbë. Ka hyrë ne sallën e operacionit dhe me të po merret tani kirurgu dhe ortopedi. Nuk ka rrezik për jetën"- thonë mjekët e spitalit.

Ndërkohë dy mësuesit që shoqëronin nxënësit, tregojnë se kanë që prej të dielës në këtë hotel dhe do të rrinin deri ditën e premte.

"Dëgjuam zhurmë dhe britma dhe dolëm të shihnim. Ballkoni kishte rënë e po ashtu edhe muri i dy dhomave"- tregon një nga mësuesit.

Policia është drejtuar për në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin e shkaqeve të shembjes së ndërtesës, që për momentin mbeten ende të paqarta.

Bëhet fjalë për shembjen e një ballkoni dhe të një muri mbajtës të dy dhomave, por të gjitha të dhënat janë paraprake.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›