Rama apel Berishës: Mos prek kutitë e votimit!
Kryetari i opozitës paralajmëroi dje se protesta e së shtunës do të përshkallëzohet në të gjithë vendin derisa të zbardhet e vërteta e zgjedhjeve të 28 Qershorit
"Të shtunën, 10 tetor e gjithë opozita, paqësisht, por me shumë forcë, do të protestojë për t'i dhënë fund çdo lloj dhune mbi votën"
TIRANË - Manifestimi opozitar i të shtunës, 10 tetori, është vetëm fillimi i një përpjekjeje që do të shtrihet në çdo rrugë të vendit, në rast se nuk do të hapen kutitë e votimit. Paralajmërimi vjen nga kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp, të zhvilluar dje në ambientet e selisë rozë, i ka bërë apel kryeministrit të vendit se Partia Socialiste nuk hyn në Kuvend, pa u plotësuar kërkesa për transparencën e zgjedhjeve.
Rama ka lëshuar një apel edhe ndaj kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, i cili së fundmi po përpiqet që të propozojë në KQZ marrjen e një vendimi për asgjësimin e fletëve të votimit, me pretekstin se duhen kuti votimi për zgjedhjet që do të mbahen në datën 15 Nëntor në 5 njësi vendore. Por, një hap i tillë do të cenonte pikërisht të drejtën legjitime te opozitës, atë të hapjes së kutive të votimit.
Për këtë arsye, dje, kryetari i opozitës, Edi Rama, ka bërë thirrje që kutitë e votimit të mos preken. "I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se prekja e kutive të votimit apo, largqoftë për të e për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së, asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre, jo vetëm që nuk do ta shpëtojë këtë pushtet të korruptuar e korruptues nga përballja me të vërtetën e popullit opozitar, por përkundrazi do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës.
Të shtunën 10 tetor e gjithë opozita, paqësisht, por me shumë forcë, do të protestojë për t'i dhënë fund çdo lloj dhune mbi votën e mbi njerëzit që masivisht po vazhdojnë të hiqen nga puna për shkak të bindjeve e përkatësive të tyre politike",- tha Rama.
Kryetari i opozitës shtoi se, protestat e opozitës do të përshkallëzohen deri në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 Qershorit. "I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se Partia Socialiste nuk hyn në Parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe me të gjithë opozitën ne do të përshkallëzojmë manifestimin e protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit.
Manifestimi opozitar i të shtunës, 10 tetorit, është vetëm fillimi i një përpjekje që ne do ta shtrijmë, në çdo rrugë të vendit, në qoftë se pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit",- tha ai. Kryetari i opozitës i ka kthyer përgjigje edhe pretendimit të vazhdueshëm të kreut të ekzekutivit se me qëndrimin e tij po pengohet heqja e vizave për shqiptarët.
"I bëj apel Sali Berishës të kuptojë, se nuk mund të vazhdojë të tallet më shqiptarët, duke u thënë përditë se opozita po pengon heqjen e vizave, sepse shqiptarët janë paralajmëruar prej nesh, kohë më parë, që me Sali Berishën e me pushtetin e tij, Shqipëria do të mbetej, siç mbeti, jashtë programit të heqjes së vizave, ku u futën Serbia, Mali i Zi e Maqedonia.
Sali Berisha duhet të japë llogari pse nuk u fut Shqipëria ne grupin e këtyre vendeve, gjë e vendosur shumë më parë se opozita vendosi të mos hynte në Kuvend për shkak të grabitjes së votave. Dhe këtë llogari do t'ia kërkojmë ne që të gjithë edhe të shtunën pasdite në 10 tetor përpara zyrës së tij",- tha ai.
Rama theksoi se, asgjë nuk e ndal opozitën në rrugën e saj për të çliruar zgjedhjet nga zgjedha e shtetit të bërë njësh me pushtetin dhe për t'i dhënë fund një historie të turpshme zgjedhjesh të deformuara e të kontestuara.
"Të shtunën pasdite më 10 tetor, kjo betejë qytetare hyn në një fazë të re dhe ne do të jemi në krye të saj, sepse përfaqësojmë shpresën, nevojën, bindjen e palëkundur që pa i dhënë fund historisë së dhunës mbi votën e qytetarit shqiptar, pa rivendosur barazinë para ligjit dhe pa çliruar çdo qytetar nga hija e hakmarrjes politike të pushtetit të radhës, nuk ka Shqipëri evropiane për të gjithë. Ne na intereson Shqipëria evropiane për të gjithë dhe jo Shqipëria evropiane për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon dhe për kompaninë e tyre, bashkë me oborret e tyre, klanore dhe familjare", tha ai