Shembja e shtëpive, banorët përplasen me policinë
DURRËS- Vendimi për shembjen e 20 shtëpive të banimit me qëllim lirimin e truallit pronarit të saj, ka përplasur sot 200 banorë me policinë. Ngjarja ndodhi në Durrës, në lagjen nr.15, ku banorët e shtëpive kanë kundërshtuar ekzekutimin e vendimit. Ata kanë deklaruar se kanë paguar tre herë me radhë për tokën ku kanë ngritur shtëpitë, por kurrë nuk e kanë parë pronarin e vërtetë, madje as në gjykatë. Ata akuzojnë shtetin si nëpërkëmbës të të drejtave. Sipas banoreve shtëpitë janë ndërtuar pas vitit 1991 dhe të gjitha i janë nënshtruar procesit të legalizimit dhe së shpejti presin pajisjen me tapi, por mbi të gjitha pas një ankimimi që këta banorë kanë bërë në Gjykatën e Apelit kundrejt personit që pretendon se është pronar, çështja ndodhet ende në proces gjyqësor. Në Gjykatën e Apelit mësojmë se po shqyrtohen një nga një të gjitha rastet dhe deri tani kanë fituar pesë familje.
Banorët deklarojnë se kanë paguar 1% e legalizimit në bazë të të gjitha procedurave dhe për sipërfaqen ku kanë ndërtuar shtëpitë ata kanë paguar me 3 mijë lekë për një metër katror.