Shembjet, i bllokuar nga dje Qafë Mali-Fierzë
TROPOJE-Shembjet e dherave po mbajnë të bllokuar që prej ditës së djeshme aksin rrugor Qafë Mali-Fierzë. Sot paradite mësohet se rreth 20 automjete kanë mbetur të bllokuara si pasojë bllokimit të rrugës. Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetaj bëri të ditur për TVNews24 se shkak për rrëshkitjen e dherave janë bërë reshjet e ditëve të fundit dhe shkarkimet nga Hidrocentrali i Fierzës që po vazhdon prej ditësh. “Nuk ka shembje masive, por bllokime të rastit, por që bllokojnë vazhdimisht këtë aks. Ka mbërritur një patrullë e drejtorisë rajonale rrugore të Tropojës që do të pastrojë rrugën”, tha Ahmetaj. Nga i njëjti burim mësohet se policia nuk ka lejuar lëvizjen e automjeteve për të shmangur ndonjë aksident të mundshëm. Qytetarët janë rekomanduar të kalojnë nga rruga e vjetër, e cila zgjat me dhjetra kilometra udhëtimin. Kreu i Bashkisë së Tropojës bën të ditur edhe situatën në urën mbi Drin. “Unë ndodhem tek ura e Drinit në Fierzë e cila momentalisht nuk paraqet probleme”. (d.b/BalkanWeb)Shembjet në aksin Qafë Mali-Fierzë vazhdojnë prej ditësh. Të shtunën rreth orës 22: 00 masivi i dheut zuri trasenë e rrugës Qafë Mali-Fierzës. Prurjet e mëdha të ujit kanë rritur shumë sasinë e lagështisë në këtë zonë, duke bërë që të kete shembje të shpeshta të dherave nga mali përgjatë rrugës i cili ndodhet në një pjerrësi prej 70 gradësh dhe nuk ka as mur mbrojtës, për të shmangur që këto masive dheu të bien në rrugë.