Shembulli i 500 milionë eurove të Margarita Papandreut na çon tek xhaketa 5 mijë eurosh e “të pastrehut” Edi Rama
Në fillim, në 1974, pinjollët e familjes Papandreu ishin “burra të mirë”.
Grekët çuditërisht u besuan atyre drejtimin e shtetit grek për vite me radhë. Greqia pas diktaturës së kolonelëve pati një zhvillim të menjëhershëm falë dhe huamarrjes masive në bankat private për të nxitur investimet në infrastrukturë. Sigurisht interesi i kredisë ishte i lartë, por interesi i zhvillimit ishte më i lartë, çka detyroi shumë qeveri greke të akumulonin një borxh publik marramendës dhe të ndërtonin një administratë klienteliste të stërfryrë kundër çdo parimi ekonomie.
Me kalimin e viteve “burrat e mirë” u bënë pasanikë të dhjamosur.
Fakti që emri i Margaret Papandreut, nënës së ish-kryeministrit grek Jorgo Papandreu, shfaqet së fundmi publikisht në listën e kreut të FMN-së, Christine Lagarde, si depozituese e një shume të fshehur 550 milionë euro në një bankë të Zvicrës, është sinjalizuese për abuzimin ndër vite të qeverive të majta të drejtuara nga Jorgos Papandreu. Ky i fundit është aktualisht president i Internacionales Socialiste i votuar së fundmi në kongresin e Afrikës së Jugut. Për të votoi edhe Boris Tadiç dhe Edi Rama, dy kolegët e tij ballkanas.
Është stërthënë që lideri i opozitës shqiptare kishte si model politik Jorgos Papandreun. Edi Rama ngjason shumë me Jorgos Papandreu në zbatimin e praktikës së përjashtimit të kundërshtarëve nga partia. Ish-kryetari i PASOK-ut Jorgos Papandreu pati përjashtuar nga radhët e grupit parlamentar ish-kryetarin dhe ish-kryeministër i Greqisë në periudhën 1996-2004 Kostas Simitis.
Edhe me Partinë Socialiste në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë.
Edi Rama sapo mori në duar frerët e PS-së filloi të ndjekë një pratikë të përjashtimit të mendimit ndryshe, duke filluar nga themeluesi i PS dhe disa herë kryeministër të Shqipërisë, Fatos Nano apo Kastriot Islami. Në zgjedhjet parlamentare të 2009, kreu i Partisë Socialiste propozoi një listë antiNano domethënë një listë të pastër nga të ashtuquajturit mbështetës të flaktë të Nanos. Ndërsa në zgjedhjet e 2013, kreu i PS është gati të “revolucionarizojë” sërish listën duke hequr të pabindurit dhe ata që mendojnë ndryshe.
Me këtë logjikë përjashtuese Edi Rama rrezikon të largojë eksperiencën politike e ekonomike nga Partia duke futur elementin e “servilizimit” në gjithë strukturat e partiake.
Rivali i Ramës brenda partisë Ben Blushi në një intervistë e përkufizoi kryesinë e partisë socialiste si një “drejtori ndërmarrje”, si për të treguar banalitetin e vendimmarrjes brenda saj. Në fakt, ndërmarrja politike e Ramës është në prag të një falimentimi të strukturuar pasi është i paftë të mbajë peshën e alternativës politike. Edhe propozimi për heqjen e taksës së biznesit të vogël, kreu i PS del dhe ua propozon vetë tregtarëve. Dhe po të shikosh “performancën” e jashtme të takimeve të djeshme do të mund të konstatohet lehtë një lider opozite me një “luk” prej 5 mijë eurosh, ku veç palltoja e zezë kushton rreth 3 mijë euro dhe që mundohej t’u shpjegonte tregtarëve heqjen e taksave në kundërshtim me çka bëri për 11 vite me radhë në Bashkinë e Tiranës.
Pasioni i Edi Ramës për veshjet është i njohur. Kostumet e shtrenjta “Brioni” të qepura jashtë shtetit, kollaret e ndryshme, këmishët dhe pulovrat prej kashmiri janë simbole të dukshme të dashurisë së Ramës për modën e lartë, paçka se është “përtej” mundësive financiare.
Në deklaratën e Pasurisë Edi Rama dhe Jorgos Papandreu deklarojnë shuma modeste në llogaritë e tyre publike. Edi Rama deklaron 3 mijë euro në bankë, paçka se vishet me rrobat përtej kësaj shifre çdo ditë. Ndërsa Jorgos Papandreu vishet mirë me gjysmë miliarda dollarë të mamasë së tij, që akuzohet dhe po hetohet për evazion fiskal në Greqi.
Sido që të jetë janë këto kundërthënie tipike që karakterizojnë të majtën ballkanike. Këto kundërthënie janë bërë aq të dukshme saqë kërkojnë të kalojnë si gjëra të zakonshme. Për shembull fakti që për 11 vite qeverisje socialiste të Bashkisë së Tiranë taksat jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën në mënyrë shproporcionale. Ndërsa sot Edi Rama jo kryebashkiak propozon heqjen e taksave. Deri përpara një viti, një qytetar i kryeqytetit që kishte një biznes të vogël detyrohej të paguante rreth 80 taksa dhe tatime të ndryshme, ndërsa sot barra fiskale është përgjysmuar duke nxitur biznesin e vogël dhe të mesëm. Dalja në ekstrem të kundërt të Ramës për sa i përket politikës fiskale është jo vetëm një mohim i administrimit fiskal të 800 mijë qytetarëve. Por heqja e taksave, në fakt, është propozimi për të instaluar kulturën e evazionit masiv fiskal, pra të mospagesës së detyrimeve ndaj shtetit. Një kulturë antishtet e evazionit fiskal që është luftuar për shumë vite me anë të taksës së sheshtë, ku ulja e detyrime karshi shteti është në 10 për qind. Modeli i PS për heqjen e taksave ka si shembull modelin Papandreu të sjelljes me biznesin, ku kultura e evazionit fiskal domethënë të mospagesës së detyrimeve dhe borxheve ka arritur majat stratosferike. Ky është modeli fiskal i instaluar prej qeverive greke, sidomos atyre të PASOK-ut të Jorgos Papandreu që kanë shkaktuar kolapsin e sistemit ekonomik të vendit fqinj.
Këto modele janë propozuar edhe në Shqipëri nga vetë Papandreu, i cili mbështeste Edi Ramën në kandidaturën e tij për kryeministër.