Shëndetësia gjatë 2025-ës/ 5 përparimet mjekësore që japin shpresë

Viti 2025 ka shënuar disa arritje të rëndësishme në shëndetësi. Shkencëtarët kanë bërë zbulime të reja, të cilat mund të jenë premtuese për trajtimin e shumë sëmundjeve.
“Euronews Health” ka listuar pesë më të rëndësishmet.
Një nga zhvillimet më të bujshme ishte trajtimi i parë personalizuar në botë me redaktim gjenetik, i aplikuar te një foshnjë me një sëmundje të rrallë dhe shpesh fatale. Edhe pse foshnja do të duhet të monitorohet gjatë gjithë jetës, trajtimi përmirësoi ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijës, i cili tashmë ka nisur të ecë. Studiuesit thonë se suksesi i procedurës përbën një përparim madhor, duke treguar se edhe pacientë të tjerë me sëmundje gjenetike mund të përfitojnë nga kjo teknologji në të ardhmen.
Vaksinat që përdorën teknologjinë ARN dhe morën famë gjatë pandemisë së COVID-19 sot po testohen për gripin, HIV-in, sëmundje gjenetike dhe kancer. Studimet treguan se këto vaksina kundër HIV-it mund të nxisin prodhimin e antitrupave neutralizues.
Një tjetër hap i rëndësishëm ishte transplantimi i parë i një mëlçie derri të modifikuar gjenetikisht te një pacient i gjallë, i cili mbijetoi për 171 ditë, duke afruar më shumë realitetin e ksenotransplantimit.
Shkencëtarët përdorën gjithashtu ind të gjallë të trurit njerëzor për të studiuar fazat e hershme të demencës, një zhvillim që mund të ndihmojë në gjetjen e trajtimeve të reja.
Ndërkohë, barnat për humbje peshe kanë treguar potencial për trajtimin e sëmundjeve të tjera, megjithëse ekspertët theksojnë se ato nuk janë një zgjidhje universale.
Këto përparime ofrojnë shpresë për trajtime më efektive dhe një të ardhme më të mirë në shëndetësi.