E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shëndeti mendor në vendin e punës, sektorët më të prekur: shëndetësia, ndërtimi dhe IT

Shëndeti mendor në vendin e punës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prek të paktën 1 në 10 persona, të cilët më pas mungojnë në punë për shkak të stresit dhe ankthit.

Por sipas studiuesve të psikologjisë, tre janë sektorët më të prekur nga pasojat e ankthit dhe depresionit.

“Ndërtimi, pasi janë shumë të lartë numrat e vetëvrasjeve; personeli shëndetësor, që fatkeqësisht ka numra shumë të rritur të problemeve të depresionit dhe ankthit; si dhe personat që punojnë në IT nga shtëpia”, thotë Arlinda Cerga, studiuese dhe pedagoge e psikologjisë në Universitetin St. Mary, Londër.

Këto shifra alarmante e kanë shtyrë më tej studiuesen Cerga për një vlerësim bazuar në psikoedukimin online të disa prej drejtuesve dhe punonjësve në këta sektorë me qëllim rritjen e vetëdijesimit dhe uljen e stigmës, e cila duket se ka rezultuar e suksesshme.

“Biseda në vendin e punës për shëndetin mendor ka ulur stigmën, barrierat. E ka bërë më të lehtë që personat që punojnë të mendojnë të marrin edhe një ditë pushimi nga shefat e tyre, sepse problem më i madh në humbjen e efektivitetit dhe produktivitetit në punë është ajo e personave që kanë probleme me shëndetin mendor, që vijnë në punë, por nuk janë produktivë. Kjo është ajo që nuk shihet dhe nuk matet. Ne mund të vlerësojmë se sa ditë njerëzit humbasin nga puna, por humbja për kompanitë janë njerëzit që vijnë në punë dhe nuk janë produktivë”, tregon Prof. Cerga.

Për ndërmarrjet që kanë numër relativisht të mesëm dhe të lartë punonjësish, ekspertët sugjerojnë jo vetëm përmirësim të kushteve të punës në paga, ngarkesë, orare fleksibël, mjedis miqësor etj. por edhe ndërhyrje të vogla terapeutike.

“Informacion si të përmirësojmë gjumin, si të ulim ankthin, ushtrime të frymëmarrjes, të cilat janë tepër efektive për të parandaluar problemet më të mëdha që mund të krijohen, dhe si menaxherët të referojnë rastet në personel”, shprehet pedagogia e psikologjisë.

Sipas ekspertëve, identifikimi i rasteve në vendin e punës është bërë i domosdoshëm për të mos rritur problematikat.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›