E Martë, 3 Nëntor 2026

Shëngjin/ Ansambli i Këngëve dhe Valleve, “pasaportë kombëtare”

Ansambli i Këngëve dhe Valleve zbriti në Shëngjin këtë fundjavë.

Artistët mbajtën një koncert në zonën turistike, e cila është e tejmbushur me pushues në këto ditë të nxehta gushti.

Këngët dhe vallet e interpretuara me mjeshtëri nga artistët e këtij ansambli tërhoqën vëmendjen e qindra pushuesve, të cilët kishin mbushur sheshin “Wilson”.

Folklori është një pasaportë kombëtare, “vlerat e të cilit u duhen përcjellë edhe turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar,” thotë drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Sokol Marsi.

“Artistët e ansamblit janë bërë një, janë bërë bashkë. Kjo ndodh rrallë, sepse ansambli, sigurisht, performon në skena të mëdha, por edhe afër publikut. Siç dihet, tradita jonë e mrekullueshme, këngët, folklori, burojnë nga shpirti i publikut dhe ai duhet të jetë aty afër,” shprehet Marsi.

Koncerti i Ansamblit të këngëve dhe valleve në Shëngjin zgjati për rreth 60 minuta, duke i dhënë tjetër gjallëri kësaj zone turistike.

Këto aktivitete kulturore po organizohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Gazetare: Megi Mëhilli

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›