Shenjtëria është tek vota - tek kutia strehohet veç i paudhi
Së pari duhet të përqendrohemi te mbiemri “përkatës”, që ka sjellë shumë pështjellime në gjykimin e votave, në “të vlefshme” apo në të “pavlefshme”.
Zakonisht në rregullat juridike fillohet me elementet e ndaluara. Ato që nuk përmenden si të ndaluara, natyrisht që nënkuptohen si të lejuara. Fillohet pra, me të ndaluarat, se janë më të kufizuara. Në kodin penal, për shembull, përcaktohen rastet e ndëshkueshme. Por në raste të veçanta, që të mos krijohet ekuivok, duhet përcaktohen edhe rastet e lejuara. Në rregullatorin ndëshkues, thënia “ndalohet duhani në ambientet e mbyllura” nuk është e përcaktuar. Sepse, në vendet nordike, me dimër mjaft të ashpër, duhen marrë parasysh edhe dëshirat e duhanpirësve, për të cilët pronarët e restoranteve, bar-bufeve etj, kanë salla të veçanta me aspiratorë të fuqishëm , në përdorim të fumatorëve. Kështu ligjvënësi ka parashikuar edhe rastet e dëshirave të personave të tillë.
Para se të kthehemi te fjala “përkatës”, me të cilën kemi filluar këtë shkrim, na duhet të themi se Kodi Zgjedhor, i përpiluar me konsensus nga të dy palët e mëdha në kushtet e bipolarizmit partiak specifik të vendit tonë, ka pasur në rrjedhë të kohës një përmirësim, por edhe një klauzolë ambivalente (që merret edhe ashtu edhe kështu), e cila do të përmirësohet, siç do ta shohim, në zgjedhjet e ardhshme. Sapo përmendëm bipolarizmin partiak tonin, veçse të shoqëruar me cilësorin “specifik”. Në vetvete sistemi bipolar është edhe në SHBA dhe në vende të tjera demokratike. Por yni është “sui generis”, në kuptimin se njëra nga palët te ne, “i fiton zgjedhjet” para se fituesi të konsakrohet nga ana e organeve kompetente ligjore. Nga ana tjetër, kjo palë, - që s’ka nevojë fare të cilësohet, se është e kuptueshme, - e shpërdoron edhe ditën e heshtjes propagandistike të së shtunës, më 7 maj. Ka klauzola ligjore për këto thyerje. Por ana demokratike, me fjalorin e përkorë dhe me etikën me “z. Rama”, i ka bërë të gjitha lëshimet e mundshme, ndonëse ana tjetër, si në kor, e konsideron tolerancën si dobësi dhe e këqyr kundërshtarin zgjedhor si armik: “Sala, Sala, Sala...” – që nga kryetari e gjer te gojëzbrazëtit e tjerë, me fjalorin e rrugës. Kjo palë, për më tepër, është kërcënuese gjer në revolucionin popullor paqësor (!) dhe i quan normale përçapjet që populistët e tanishëm, që dikur emërtoheshin nga Rama si “rrugaçë të qosheve të errëta të nomenklaturës”, të shtyjnë policët që ruajnë selinë ku zhvillon punimet KQZ-ja, që deputetët e PS-së të futen forcërisht bashkë me njerëz të tjerë, që mund të jenë pjesëmarrës në sallën e KQZ-së vetëm me autorizim të posaçëm!
Dihet se një nga pikat e dobëta të zhvillimeve zgjedhore të mëparshme te ne, ishte largimi i komisionerëve socialistë nga salla e zgjedhjes, duke marrë me vete edhe vulën! Bllokim arbitrar zgjedhjesh! – “me urdhër nga lart”, - siç ishte një shprehje e kohës së diktaturës. Tani, në saje të kësaj përvoje, iu shpërndanë vulat KZAZ-ve , por mbahej në dispozicion si rezervë në KQZ vula e dytë dhe parashikoheshin, madje, sanksione ligjore për shkelje të një natyre të tillë. Dhe shpëtuam nga kjo e keqe që ishte bërë e zakonshme nga vetëm njëra prej forcave politike!
***
Dhe tani i rikthehemi fjalës “përkatëse”, që është ekuivalenti i fjalës së huaj “respektive”. Në frëngjisht, kjo fjalë shoqërohet dy mënyrash, që jepen në shembuj: “në vendet përkatëse”; por ka edhe kuptimin “kompetente”: “organet respektive” (kompetente).
Fjala “përkatëse” në Kodin Zgjedhor, ka kuptimin që votat të hidhen në kutitë përkatëse, sipas ngjyrave të veçanta. Por, në kohën e pakët që ka në dispozicion votuesi, me katër fletëvotimi në dorë, është thuajse e pamundur që t’i korrespondojë ngjyrat e fletëvotimit, me ngjyrat përkatëse të kutive. Kërkohet një shkathtësí e veçantë, një shikim i mprehtë që s’e kanë miopët, njëfarë shkollimi (një injorant del vrik jashtë loje në një kombinim të tillë të ngutshëm ngjyrash) dhe një orientues i ndershëm. Pra, nuk është i saktë ai hiperbolizimi i E. Braçes, se na qenka i pamundshëm që të gabohet njeriu, kështu. Kësisoj, duke përfituar nga paqartësitë e procesit zgjedhor të 8 majit, më i miri dhe më transparenti i gjertanishëm, mund të kemi një formulim-shtesë, në dobi të zgjedhjeve të ardhshme: “Votat që gjenden në kutitë e gabuara janë të vlefshme, në cilëndo kuti që të gjenden. Ato do të numërohen dhe vlerësohen, si të gjitha të tjerat”. Kjo nuk do të lejonte ekuivok dhe do të ishte në pajtueshmëri me atë zhurmnajën e thekshme të socialistëve, që shkaktoi një paralizë dyvjeçare: “Dua të shoh votën time”. Nga ana tjetër kemi edhe precedentin, në Temal të Shkodrës. Natyrisht, ekziston edhe versioni i kundërt: që këto vota të quhen të djegura.
Veçse këtu lind një debat: Cili variant është, jo vetëm më i përshtatshëm, por edhe në konformitet me Kushtetutën? Sipas këtij ligji themelor, votimi duhet të jetë i lirë, i fshehtë, i barabartë. Në rastin kur vota bëhet inekzistente për shkak të injorancës, të defekteve daltonike të mosperceptimit të ngjyrave, apo të mirëbesimit ndaj “orientuesit”, thyhet klauzola kushtetuese e barazisë së votimit. Vota e këtyre personave që sapo i përmendëm, diferencohet në krahasim me votat e personave të tjerë, çka do të thotë se cenohet barazimi i votave. Sipas Kushtetutës, respekti absolut i takon votës, jo kutisë. Askush, - nëse e banalizojmë problematikën që ta bëjmë më të kuptueshme, - nuk thotë dot se kutia duhet shenjtëruar, kurse vota duhet quajtur paçavure. Megjithatë , kur vjen puna në terrenin konkret apo praktik kërkohet, copë, që E.R.-ja të kurorëzojë “fitoren historike”(!) me + 10 dhe, nga ana tjetër, të quhen nul të gjitha votat (në frymë kushtetuese, në të vërtetë) të Lulzim Bashës, me + 81!
Që të mos keqkuptohem, duhet të shtoj, në përfundim, se edhe kutitë duhen respektuar në kuptimin fakultativ, me aq sa të jetë e mundur. Sepse ato lehtësojnë së tepërmi punën e numëruesve. Ndonëse teknologjia më e përparuar elektronike është përdorur si askurrë ndonjëherë kësaj radhe, në dobi të një transparence të paparë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve tona, ka munguar megjithatë një shpikje plus, virtuale: që të katër fletë votimet të hidheshin toptan në një thes gjigant. Dhe automati t’i ndante aty për aty, në katër grupime, sipas madhësisë dhe ngjyrës. Në një hamendësi të tillë, si do të shpjegohej mëtimi i Ramës dhe i ithtarëve të tij se na qenkërka ish-kryebashkiaku fitues (?). Puna është se ai duhet të jetë doemos fitues, përndryshe... rroftë revolucioni popullor paqësor!