E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zallamahi paszgjedhore

ILIR KALEMAJ

Në këtë qoshkun tonë të zhurmshëm, ku gjithçka që ndodh përbrenda na duket e një rëndësie botërore, nuk ka se si të mos tejkalojmë edhe standardin ballkanik që prodhon më shumë histori nga sa mund të konsumojë. Kur për herë të parë në këto njëzet e kusur vite dëshmuam që mund të bëjmë zgjedhje deri diku të pranueshme të paktën sipas standardeve rajonale, plasi fuqishëm shashka e radhës, e cila nuk kishte si mos të ndodhte. Nëse në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 2009-s, procesi problematik i numërimit ishte defekti kryesor i papjekurisë së mjaftueshme të klasës politike, kësaj here problem kryesor u kthye interpretimi juridik i votave të pavlefshme (apo të kontestuara), zhargon në vetvete ky jo i qartë plotësisht në ligj. Ajo që mund të habiste fare lehtë një vëzhgues të jashtëm është gjuha e ndërlikuar teknike e aplikuar sa herë që ndodh një krizë në këtë vend të bekuar. Gjuhë e cila nuk dihet se kë konkretisht adreson: popullatën që në vija të përgjithshme s`po kupton gjë prej gjëje, klasën politike të hallakatur, juristët e bërë çorbë, shoqërinë civile që flet me një kakofoni zërash, apo median e barrikadizuar?
Kjo lloj gjuhe teknike me formulën sipas vendit, edhe Kuvendi, është përdorur sa herë që na kanë pllakosur kriza natyrore apo të prodhuara enkas nga mandatari i sovranit. Kur na zunë shirat e përmbytjet, shqiptarët mësuan të bëheshin specialistë digash me një kurs të përshpejtuar televiziv, që nuk la ekspertë dhe gjithologë pa thirrur për tu shpjeguar shqiptarëve me një gjuhë të thukët, ndonëse shpeshherë kontradiktore, se cilat ishin arsyet e vërteta të përmbytjes. I njëjti skenar edhe kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, kur nuk ngeli shqiptar pa marrë një kurs leksionesh në demontime, eksport armatimesh dhe shpërthime. Kur ndodhi Dushku i vogël dhe më pas Dushku i madh në zgjedhjet e 2005-s, për të vijuar me gatimin e Kodit Elektoral që u bë sebepi i zgjedhjeve të kontestuara të 2009-s, nuk ngeli njeri pa u bërë specialist zgjedhjesh politike me një nivel amatores, që do ta kishte zili edhe një politikan mesatar perëndimor.
Dhe kështu, nga furtuna në furtunë, nga rrebeshi në rrebesh, apo nga kriza në krizë, të paktën kemi pasuruar fjalorin teknik dhe terminologjinë politike, të cilat i përdorim dhe pa kriter bulevardeve, mitingjeve, kafeneve dhe mejhaneve në çdo orë të natës dhe të ditës. Secili shqiptar i mirë e ka një mendim personal për krizën dhe, çështë më e rëndësishmja, edhe një zgjidhje, të cilën, po ta pyesësh, madje edhe pa e pyetur, ta jep hazër xhevap. Ndonëse pjesa më e madhe e popullsisë është apolitike të paktën në aspektin e të qenit partizan me njërin apo tjetrin krah, kjo nuk i pengon të diskutojnë emotivisht, me gjestikulacion të ekzagjeruar dhe zë të plotë pozicionet e palëve, natyrisht duke futur edhe komentin brenda.
Nuk ka se si mos të ndodhë kjo kur në çastin që hap ekranin televiziv bombardohesh me një mori interpretuesish – shpesh njëkohësisht në dy-tri kanale njëherësh, duke përftuar nga regjistrimet paraprake dhe duke sfiduar ligjet e natyrës – të cilët u shpjegojnë shqiptarëve atë që duket se ata janë të paaftë ta kuptojnë vetë. Ata që kanë bërë zgjidhjen, duke pasur ndonjë paketë dixhitale apo satelitore, mund edhe tu shpëtojnë zallamahisë, duke u arratisur në ndonjë kanal të huaj, ndërsa për të tjerët nuk ka shpresë; politikanëve dhe analistëve rok-starë u është bashkangjitur edhe një specie e re seksi, ajo e kqz-istëve dhe tufës me juristë që nuk e paskëshin ditur atraktivitetin e zanatit të tyre.
Të shpresojmë që një zgjidhje potenciale në situatën pa rrugë dhe krye, i mundësuar nga miqtë ndërkombëtarë, të cilët me karotën dhe kërbaçin që kanë si asete të pazëvendësueshme, t`i jap fund ciklit të krizave që ndizen si barut i thatë dhe shqiptarët mos të kenë rastin të bëhen ekspertë të një tjetër situate anormale, që në qiellin e mbarsur shqiptar nuk do të ishte aspak çudi. Njerëzit, pavarësisht kahut politik, kanë nevojë për normalitet, për stabilitet dhe mirëqenie, të cilat duhet të garantohen nga shteti ligjor dhe institucionet e pavarura, nën vëzhgimin kritik të medias dhe shoqërisë civile. Klasa politike duhet të ndërgjegjësohet që është aktori kryesor përgjegjës për hedhjen benzinë zjarrit, për gatimin e rregullave që tashmë po kontestohen, për garantimin e institucioneve që sot po anatemohen dhe për mbështetjen e ndërkombëtarëve që sot po anatemohen. Votuesit zgjodhën mos t`i japin pushtet absolut asnjërës prej palëve dhe sido që të lexohet vota, palët kanë fituar apo humbur proporcionalisht njëlloj. Për këtë arsye, asnjërës palë nuk i shkon roli arrogant dhe deklaratat patetike, ndaj zgjidhja më e arsyeshme do të ishte ulja në tavolinë dhe negocimi i rrugëdaljes nga kriza.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›