E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shërbim shëndetësor në banesë në Gjirokastër, Sinojmeri: Pranë qytetarëve edhe në lagjet e mbipopulluara nga turistët

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër është angazhuar për të garantuar shërbim mjekësor të vazhdueshëm për të gjithë komunitetin, edhe në pikun e sezonit veror me temperatura të larta dhe turistë të shumtë që vizitojnë qytetin e gurtë.

Stafi mjekësor ka zbarkuar në çdo lagje, rrugicë dhe fshat, duke mundësuar vizita shtëpi më shtëpi, çka ka lejuar evidentimin në kohë të shumë problematikave shëndetësore.

“Ne jemi në kohë pranë qytetarëve, për më tepër edhe spitali mos të ketë ngarkesë të madhe”, u shpreh Edi Sinojmeri, Drejtor i NJVKSH Gjirokastër në një intervistë televizive për RTSH.

Me shtimin e fluksit të turistëve vendas dhe të huaj në qytetin e gurtë, është rritur edhe përgjegjësia për ofrimin e kujdesit shëndetësor për këtë kategori. Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër funksionon në kapacitet të plotë, 24 orë në ditë, duke u ardhur në ndihmë çdo vizitori që ka nevojë për ndihmë mjekësore.

“Ne ofrojmë shërbim shëndetësor qoftë për turistët ashtu dhe për turistët vendas”, tha ai.

Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor në Banesë vijojnë të zgjerohen në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të moshuarve dhe pacientëve kronikë që e kanë të vështirë të paraqiten në qendrat shëndetësore.

Ky program po shtrihet në 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 356 qendra shëndetësore, duke mundësuar mbi 58,700 vizita dhe procedura për rreth 5,200 pacientë gjatë vitit të kaluar.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›