Shërbime dentare me preparate të skaduara, Prangoset administratori dhe stomatologu i klinikës, nën hetim 12 punonjës

Policia e Shtetit nisi të martën një operacion të koduar “Siguria dentare”, ku faktoi se një nga klinikat stomatologjike në vend përdorte preparate të skaduara. Në pranga u vunë administratori dhe stomatologu, ndërsa nën hetim janë 12 punonjës të klinikës.
Policia saktëson se në pranga ranë: Ervin Zeka dhe Kejdi Myzyri, të cilët në Rrugën e Kavajës, në ambientet e klinikës ofronin shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, impiante dhe riparime të aparaturave dentare, me preparate dhe materiale dentare të skaduara prej 8 vitesh.
Dy stomatologët, ka dyshime se ndonëse e dinin që preparatet ishin të skaduara, i përdornin ato për shërbime te pacientët që paraqiteshin për ndërhyrje të ndryshme.
Ende nuk dihet nëse në policia ka pasur ndojë denoncim për klinikën apo gjithçka është zbuluar pas informacioneve në rrugë operative, por efektivët blu gjatë kontrollit sekuestruan preparate dhe materiale që përdoreshin për këto shërbime, që ishin të skaduara.
Personat e arrestuar dhe të proceduar akuzohen për veprat penale: “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/