E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkopeti, prej 3 ditësh në flakë. Zjarri përhapet edhe në territorin e Bashkisë Mirditë

Zjarri i rënë prej tre ditësh në zonën e Shkopetit në Kurbin vijon të jetë aktiv dhe që prej mesditës së të hënës ka kaluar edhe në territorin e Bashkisë Mirditë, duke iu afruar fshatit Lurth.

Flakët janë përhapur në një perimetër të gjerë, ndërsa në terren po punohet intensivisht në të dy anët për vënien në kontroll të këtij zjarri. Në zonën e Shkopetit janë forcat e Bashkisë Kurbin që mbështeten nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në territorin e Mirditës janë angazhuar forcat bashkiake. Gjatë datave 20 dhe 21 korrik, në operacion ka marrë pjesë edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili ndërhyri nga ajri, por pa arritur të shuajë flakët.

Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, zjarri ka përfshirë deri më tani rreth 123 hektarë sipërfaqe pyjore, ndërsa era e fortë në zonën e Grykës së Shkopetit, kryesisht gjatë orëve të mesditës së të hënës, ka ndihmuar përhapjen e flakëve, duke e vështirësuar më tej ndërhyrjen në terren.

Autoritetet mbeten në gatishmëri dhe apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët në zonat e pyllëzuara dhe malore, pasi temperaturat pritet të pësojnë sërish rritje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›