E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbime të reja, mendësi të vjetra, vuajtje të njëjta

Nga Edlira Baka

maternetitetiDje në mëngjes renda herët për tiu bashkuar gëzimit të pamatë të një mikes sime të vjetër që lindi një vajzë pranë Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik Mbretëresha Geraldinë.

Buqetës së luleve që bleva dhe tullumbaces shumëngjyrëshe për vogëlushen e porsalindur i ranë ngjyrat e aroma në ambientet e recepsionit të Maternitetit.

Fillimisht vura re një risi për tu marrë në konsideratë si përmirësim, një recepsion pompoz ku njerëzve ju kërkohej të regjistroheshin përpara se të hynin në ambientet e spitalit, e dy zonja të cilat në kaosin e turmës së njerëzve mundoheshin të menaxhonin situatën duke regjistruar vizitorët e duke i pajisur ata me një kartë elektronike që lejonte hyrjen në godinë.

Ndjeva kënaqësi si qytetare por edhe si një nënë që ka pritur fëmijët e saj në këtë spital për këtë zhvillim të ri. Drejtohem pranë bankës për tu regjistruar. Jap emrin, mbiemrin, numrin e dhomës dhe emrin e pacientes ku shkoja dhe dorëzoj kartën e identitet, një dokument zyrtar me të cilin identifikohem, për të cilin kam paguar e ku përgjegjësia e të mbajturit bie mbi mua si qytetare po aq sa edhe mbi shtetin që ma lëshon e punonjësit e tij që ma kërkojnë si peng.

Pas 10 minutash takimi me beben dhe mamin e re, tejet e ngazëllyer nga kënaqësia që vetëm një foshnje mund të japë por edhe entuziazmi për miken time, rishtazi mami, zbres e duke falenderuar zonjat në recepsion dorëzoj kartën e vizitorit dhe kërkoj kartën time të identitetit..

Nis këtu, ajo që mund të quhet marrëdhënia ime si qytetare, me atë që në këto ditë të gushtit mund të quhet shtet, por jo vetëm. Zonjat e recepsionit tejet të zëna, nisën të kontrollonin kaotikisht për kartën e pas më pak së 20 sekondash më  thonë thatë e pa ndonjë ndjesi të veçantë shqetësimi sështë, karta jote se dimë, do e ketë marrë dikush tjetër!

Indinjata e kombinuar me habinë në këto raste janë pak të përmenden, ndjesinë e vërtetë që pata kam frikë ta pranoj, ishte me tepër një gjendje e të mbeturit pashpresë e pa fuqi që dikush e provon pasi i ka besuar me dashamirësi e vlerësim një dokument formal. Karta e identitetit që zonjat më mbajtën peng është diçka që më përket si qytetare për të cilën më së paku kam paguar një tarifë që modestisht hyn në arkën e taksave të këtij shteti me të cilat dy zonjat në fjalë të veshura me djersë dhe papërgjegjshmëri civile e profesionale marrin pagën e tyre mujore. E turpshme.

Revolta ime duket se nuk bën shumë punë kur angazhimi nga ana e tyre për të riparuar qoftë edhe moralisht situatën e krijuar është diku afër zeros ose edhe minus. Ndërkohë që vijojnë të shërbejnë njerëzve e mbledhin pa fund karta identiteti në rrëmujën më shembullore të mundshme, hallexhinjve që presin në rradhë të takojnë nënat e reja brenda spitalit, mekanizmi metalik që lejon njerëzit të hyjnë në ambientet e spitalit vijon të lëvizë lart e poshtë me dhe pa kriter, me dhe pa kartë vizitori, me dhe pa rregull një sistem i dështuar sepse ka nisur i tillë e sepse minimalja që mund ta identifikonte si risi pozitive mungon përgjegjshmëria nga ana e atyre që e aplikojnë, nisur nga punonjëset recepsioniste që duket se me vështirësi mund të gjejnë tastet për të shtypur në kompjuterin përpara tyre e deri tek roja i një kompanie private sigurimi që ju thërret si të jete eprori i tyre dhe jo një lehtësues i sistemit.

Ky vëzhgim i detyruar nga ana ime zgjat plot për një orë të tërë, e vaptë torturuese por edhe me stres në ngjitje. Deri sa aksidentalisht në recepsion shfaqet një zyrtar i cili pyet për shqetësimin tim, e nis të bëjë reprezaljen e shefit sapo nëpunëset e recepsionit e vënë në dijeni për atë çka ndodhur duke mos harruar të shfajësohen që nuk ishte faji i tyre. dhe zgjidhja pas disa minutash vjen. Prit një gjysëm ore këtu vërdallë se do ja kenë dhënë dikujt tjetër gabimisht kartën tënde e do kthehet ai/ajo se ska se çfarë e do kartën tënde

E tani une pyes: Ku e gjejnë të drejtën këta njerëz të tallen në këtë mënyrë me qytetarët? Kush ja u jep atyre autoritetin, përgjegjësinë dhe sigurinë që mund të menaxhojnë në mënyrë kaq diletante situate të tilla? Kush paguan për sorollatjen time por edhe të sa e sa të tjerëve në të ashtuquajturin recepsion të maternitetit Mbretëresha Geraldinë për më shumë se dy orë për të marrë një përgjigje të tillë kaq cinike?

Ku janë këta donatorë të fuqishëm, që ngrenë sisteme të reja me njerëz e mendje të kalbura në organet e shëndetësisë publike të këtij vendi?

Vapa e kësaj ditë gushti për mua, vijoi me të tjera sorrollatje; mu desh falë papërgjegjshmërisë së pashembullt të një personeli krejtësisht të pakualifikuar profesionalisht por edhe me mungesë të habitshme civilizimi të shkoj në zyrat e minibashkisë ku banoj, në komisariat të policisë, në banka të denoncoj humbjen e rastësishme të kartës sime të identitetit që më shumë se e tillë ishte një vjedhje e identitetit tim e të aplikoj për një kartë të re të cilën duhet jo vetëm ta paguaj por të gëlltis së bashku me këtë tarifë edhe arrogancën dhe paaftësinë e njerëzve të cilëve jua besojmë këtë dokument në dorë për vetëm 10 minuta.

Faturën financiare të këtij veprimi nuk e pretendoj nga xhepat e varfër te infermiereve a punonjësve në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, por do tia dërgoja me shumë revoltë dhe indinjatë drejtorit të këtij institucioni z. Robert Qirko dhe do ta vija me shumë vetëdije e konsideratë në vëmendje edhe të ministrit të nderuar të Shëndetësisë, Z. Halim Kosova që deri dje e ka drejtuar po këtë institucion, me një shënim dashamirës: Këtë tregojuni qytetarëve kur prisni shiritat e inaugurimeve boshe.

Sa turp, e sa keq kur ndihesh kaq i pashpresë në një vend në të cilin sillesh si qytetar e trajtohesh si i dënuar, e ca më keq akoma, ata që të përplasin arrogancën në fytyrë pa të keq janë vetëm disa nëpunës të rëndomtë që përveç se paguhen nga taksat e këtij shteti, fatkeqësisht edhe e përfaqësojnë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›