E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shërbimet në pemëtore – Rrallimi i mollëve, prodhimi është pak i dëmtuar nga kushtet atmosferike

Fermerët që kultivojnë drufrutorë duhet të kryejnë disa shërbime në këtë periudhë, ku ndër më të rëndësishmit ngelet rrallimi i frutave. Specialisti i pemëtarisë Nevjon Telha thotë se ky proces duhet të mbyllet brenda muajit qershor në mënyrë që të sigurohet prodhim edhe për vitin e ardhshëm.

“Një pjesë e fermerëve për hir të së vërtetës bëjnë trajtime me rrallues kimikë dhe ato kanë arritur të jenë të efektshme dhe trajtimet kanë rezultuar goxha me cilësi.

Kjo ka reduktuar fuqinë punëtorë, por edhe për ata fermerë që nuk kanë filluar me trajtime kimike për rrallimin e frutave duhet të fillojnë me trajtimin manual.

Muaji qershor është muaji i diferencimit i sythave frutore për muajin e ardhshëm, pra vendoset lëndë rezervë në bimë. Muaji qershor duhet ta zërë bimën e rralluar”, deklaroi Telha.

Pemëtoret me mollë pësuan dëmtim më të vogël nga kushtet atmosferike, krahasuar me kulturat e tjera si qershia apo kumbulla dhe prodhim ka.

“Zona të caktuara kanë pasur dhe dëmtime, nuk kemi prodhim maksimal në lidhje me frutat.

Temperaturat e ulëta që shkuar deri në -7 gradë Celsius në periudhën e lulëzimit ndikuan mjaft negativisht. Por te molla kemi ruajtje të prodhimit. Shohim që pemët janë të ngarkuara me prodhim”, u shpreh ai.

Qarku i Korçës prodhon rreth 120.000 tonë mollë në vit, sasi e cila shitet kryesisht në tregun vendas e më pak në vendet e rajonit.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›