E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të premten kremtohet Kurban Bajrami: “Le të jetë kjo festë një mundësi për të forcuar lidhjen me njëri-tjetrin”

Data 6 qershor, për të gjithë besimtarët myslimanë, përkon me kremtimin e festës së Kurban Bajramit dhe është një nga dy festat më të rëndësishme në kalendarin islam.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Kurban Bajrami do të falet ditën e premte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, ndërsa ndan edhe detajet e programit se kur dhe ku do të kryhet falja.

Programi i faljes së Kurban Bajramit:

05:45 – Hapja e programit, z. Ejup Lila

05:50 – Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka

05:55 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu

06:05 – Ligjëratë nga nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica

06:15 – Falja e namazit të bajramit, prin Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu

06:20 – Hutbeja e Bajramit nga imami i xhamisë “Et’hem Bej”, z. Elton Karaj

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përcolli edhe një mesazh urimi.

“Kurbani nuk është thjesht një akt simbolik, por një shprehje e përkushtimit, e bindjes së njerëzve ndaj krijuesit të gjithësisë.

Kurani na mëson se tek zoti nuk arrin as mishi as gjaku, nuk është ky qëllimi i Kurbanit, por devotshmëria e qëllimi i pastër i zemrës. Le të jetë kjo festë për një mundësi për të thelluar lidhjen tonë me krijuesin, për të forcuar lidhjen me njëri-tjetrin. Le të mos harrojmë, të varfrit, fqinjët dhe të afërmit. Përmes ndarjes e solidaritetit shfaqim vlerat më të larta të fesë sonë”, u shpreh Spahiu.

Pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit do të zhvillohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00. Në kalendarin islam, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për tri ditë.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›