E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shërbimi rus mbyll hetimin e nisur ndaj rebelimit të forcave të Vagner

Shërbimi rus i sigurisë ka mbyllur hetimin e nisur ndaj rebelimit të ndërmarrë ndaj forcave të Vagner. Këta të fundit ndërkohë raportohet se po përgatiten t’i dorëzojnë pajisjet e tyre ministrisë ruse të mbrojtjes.  Këtë të martë, një avion që ka lidhje me kreun e Vagner Jevgeni Prigozhin ka zbritur në kryeqytetin Minsk të Bjellorusië.

Medait ruse raportojnë se shërbimi i sigurisë së vendit FSB ka mbyllur hetimin e nisur ndaj rebelimit që u ndërmor nga forcat e Vanger, të cilat morën në kontroll godinat ushtarake në Rostov dhe më pas marshuan drejt Moskës. 

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, gjatë hetimit u vendos se pjesëmarrësit në rebelim ndaluan veprimet e tyre. Agjencia e lajmeve Rojters duke cituar ministrinë ruse të mbrojtjes, bëri të ditur se mercenarët e Vagner po përgatiteshin t’i dorëzonin pajisjet e tyre ministrisë.

Ndërkohë në një fjalim për kombin, në orët e vona të së hënës, presidenti rus sugjeroi se grupi Vagner do të mbyllej dhe se luftëtarët e tij mund të zgjidhin mes nënshkrimit të një kontrate me ministrinë e mbrojtjes, ose të shkonin të rivendoseshin në Bjellorusi. 

Putin gjithashtu konfirmoi raportimet se pilotë rusë humbën jetën gjatë rebelimit, kur vlerësoi kurajën dhe vetësakrificën e pilotëve të rënë që sipas tij shpëtuan Rusinë nga pasojat shkatërrueses.  Pa përmendur emrin e kreut të Vagner Jevgeni Prigozhin, presidenti rus tha se organizatorët e rebelimit kishin tradhtuar vendin dhe popullin e tyre.

Armiqtë e Rusisë donin që ushtarët rusë të vrisnin njëri tjetrin, donin të vrisnin personelin ushtarak dhe civilët, që në fund të humbte Rusia, të përçahej shoqëria jonë dhe të mbyteshim në një luftë të përgjakshme civile, u shpreh presidenti rus.

Mediat e huaja ndërkohë raportuan se një avion që ka lidhje me Prigozhin ka fluturuar nga Rusia për në bjellorusi këtë të martë. Nën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, Prigozhin ka rënë dakord të shkojë për të qëndruar në Bjellorusi.

Gazetare Elda Pepa

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›