Sherr i fortë/ Beqiri: Emisioni i Rai3, turp për shqiptarët! Curi: Rroftë Shqipëria! Të këndoj dhe himnin?

Debate të ashpra ka pasur në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH mes avokatit Idajet Beqiri dhe analistit, Arjan Curi. Shkak për këtë debat ku nuk kanë munguar as replikat me natyrë personale ka qenë këndvështrimi mes tyre lidhur me emisionin i Rai3, të cilin Beqiri e konsideroi një turp për shqiptarët dhe duke nënvizuar se ata që shajnë shqipërinë janë tradhtarë dhe kundërshtive të ashpra të Curit, sipas të cilit Edi Rama nuk është Shqipëria.
Sipas Beqirit, dokumentari nuk kishte lidhje me Shqipërinë, por me marrëveshjen dhe me Melonin, marrëveshje për të cilën nuk pajtohet e majta në Itali.
“Nuk sollën prova. Tahiri nuk është dënuar për trafik droge, por për shpërdorim detyre. Nuk mund të flitet pa lexuar vendimet gjyqësore. Rama ka përgjegjësi për Ahmetajn. Është një Ilir Meta i dytë. E ka nisur që fëmijë korrupsionin. E filloi me impulset elektronike, bënte pastrim parash, s’ka lënë poshtërsi pa bërë. Nuk mund ti besohet një personi që kur ‘bie nga fiku’ fillon e flet për të mbrojtur veten dhe shan kë mundet. I shkoi gazetari në Lugano dhe tregoi ku jetonte. Është mbledhur parlamenti zvicerian. Ju janë errur sytë. Ju mbajnë grekët ju si analistë e vini pastaj këtu e shani Shqipërinë. Kënaqeni duke sharë Shqipërinë”, tha Beqiri.
Por Curi ka replikuar ashpër duke nënvizuar se Rama nuk është Shqipëria.
“Rroftë Shqipëria. Do që të këndoj himnin? Kur kam folur unë për ligjin e luftës nuk dilnit në televizione. Ramën mos e identifiko me Ismail Qemalin. Nuk është Edi Rama, Shqipëria. Saliun e Ilir Metën mbaji ti. Policët na kërkojnë ende sa lek kemi në xhep kur dalim jashtë. Nuk jam tradhtar, por ti Beqiri je një turp. Je turpi i shqiptarëve. Ai që bërtet nuk ka të drejtën. Çdo njeri që kritikon Edi Ramën nuk është tradhtar. Kombi im do ishte më i mirë pa Ramën, Berishën, Bashën, Metën dhe Beqirin”, tha Curi.
/rtsh.al/