Sherr me zor
Minarja e abuzimit që thes nuk e nxë
Tjetërsimi i SHQUP nga qeveria e PD, është një ndër ato abuzime decoy apo çorientuese që nuk e meriton monopolizimin e kryetitujve mediatik sepse janë bishti i kavallit në morinë e abuzimit të saj. Çështje të tilla, që zhbëhen thjesht dhe pa bujë në shtator, nuk duhet të shndërrohen në sebepe për viktimizim dhe faktorizim të lidershipit problematik të PD, deri ikona të luftës ndaj mamuthit të abuzimit blu.
Gurët e panumërt që hedh në lumë qeveria në ikje SHQUP, importi i plehrave, asistenca ligjore për administratën etj, janë shashka për të anashkaluar apo arkivuar abuzimin unik të Gërdecit, 21 janarit, marrëveshjes detare, shpërdorimit të buxhetit etj. Një qasje kjo e provokimit të sebepeve për të tensionuar situatën politike, ku çështje të vogla mund dhe të sakrifikohen për të krijuar alibinë e demonizimit që po i bën neokomunizmi opozitës së PD, një kontekst ky, që duke spekuluar edhe me sensibilitetin perëndimor, synon heqjen e vijës së kuqe ndaj tentativës për hetim të minares së abuzimit që nuk ka thes që e nxë.
Herët a vonë, verdikti moral, politik, ligjor dhe historik i faturohet çdo qeverie dhe kjo e sotmja në ikje, ka vite që është damkosur moralisht (Gërdeci, prona, të persekutuarit, 21 janari, 8 maji etj) dhe historikisht (pakti i ujrave, varrezat greke, vonesat në integrim, Kosova etj). Më 23 qershor asaj iu dha edhe verdikti politik dhe tashmë mbetet vetëm ai legal.
Ndonse qeveria e PD e di mirë se me thesin e stërmadh të abuzimit mbi shpinë këput mish, vijon edhe në ikje të abuzojë sikur nuk ka të nesërme, duke ngritur hamëndje, sesa për makutërinë e minutave të fundit, për asin nën mëngë apo garancitë se do ja hedhi paq, pavarësisht shtatorit pranë. Qasja politike tradicionale e PD mbrojtja më e mirë është sulmi ka gjasa të aplikohet sërisht dhe sezoni i ardhshëm politik pritet i tensionuar. PD është në kërkim të alibive për radikalizim të qëndrimit të saj, duke spekuluar edhe me referenca ndaj ish-opozitës së majtë, e cila, ndonse u ballafaqua dhe me ekstreme si Gërdeci, 21 janari, 8 maji, dhënia e ujrave, përmbytjet në Shkodër etj, nuk i hodhi benzinë zjarrit duke vënë interesat partiake në plan të dytë.
Ilustrim i sherrit me zor është dhe fakti se në krye të PD dhe si konfirmim i vijimësisë, emërohet një individ, emblemë e akuzave opozitare për abuzimin e djeshëm, një tabelë qitjeje kjo që serviret enkas për ta futur kauzën antikorrupsion në shtratin delikat të politikës dhe sensibilitetit që ajo bart. Që në mos dekurajim ndaj hapjes së kutisë së pandorës, të mundësojë alibinë e dy duarve për një kokë si prelud i radikalizimit destabilizues opozitar me pasojë bllokimin e reformave dhe integrimin drejt BE, të cilat më pas do të mund të serviren si akuza zyrtare për antagonizëm pa limit ndaj qeverisë së re. Sikundër në të shkuarën, tensionimi politik është një tjetër strehë e abuzuesve, një preçedent ky që i shkon për shtat edhe gjeopolitikës antishqiptare në rajon duke bërë që koinçidenca të tilla, të ndodhin shumë shpesh për tu quajtur kështu.
Asat nën mëngë të PD!
Nëse përjashtojmë skenarin e naivitetit politik, kuturisja e qëllimshme e qeverisjes së PD në abuzimin pa fre, mund të hamëndsohet ose si (a) iluzion për kal Troje dhe provokim të kohezionit qeveritar, ose si (b) siguri nga kapja e pushtetit gjyqësor, (c) shpresë për mbështetje prej partnerëve klientelist në perëndim, (d) alibi për radikalizim opozitar me synim shndërrimin e abuzimit në tabu dhe kuti pandore etj. Me efektin kal Troje ajo synon sabotimin apo dekurajimin e hetimit të abuzimit blu, mosdakortësitë në teknikalitete, mjete dhe afate për realizimin e tij etj. Diversioni i PD dhe stisja e mollës së sherrit në qeverisje do të synonte cënimin e kohezionit të rilindjes, demoralizimin e qeverisjes dhe zhgënjimin në elektorat dhe kjo, e kombinuar me agresivitetin opozitar, do të ishte recetë për pamundësi qeverisjeje normale, pale më të hetimit të abuzimit blu.
Integriteti i gjyqësorit përbën një tjetër argument të debatueshëm që mund të komplikojë odisenë e ndëshkimit të korrupsionit elitar – në mos u mbylltë gjykimi pa u hapur për proçedurë, verdikti mund ta shfajësojë atë duke e lënë fajin jetim. Kjo nuk ka përse të dekurajojë përpjekjet e qeverisë për denoncim të abuzimit të djeshëm, vetë apo duke u hapur udhë të tretëve (entitete apo individë privatë të prekur prej abuzimit qeveritar), si detyrim ndaj elektoratit por dhe mosparagjykim apriori të pushtetit gjyqësor.
Bazuar në të shkuarën, PD llogarit në krah të saj edhe qëndrimin e syresh partnerëve në perëndim që, për klientelizëm apo thjesht mirëbesim, do të shfaqnin sensibilitet ndaj kauzave opozitare deri në interpretim të përpjekjeve për ndëshkim të korrupsionit si intimidim ndaj opozitës, pasuar me ndërhyrje direkte apo indirekte, politike apo zyrtare ndaj qeverisë së re. Lobingut PDist, qeveria e re duhet ti përgjigjet me të njëjtën monedhë (rasti Blair dhe përkimi me publicitetin në BBC i aneksimit të SHQUP), duke mos u kompleksuar apriori ndaj të huajve, veçanërisht kur i mbahet iso kauzës të të përfolurve të Gërdecit, 21 janarit etj.
Episodet e llojit SHQUP, përtej interesave të biznesit dhe qasjes nuk kemi çfarë humbim, tentojnë, më së paku, të fitojnë kohë qoftë për të shpikur kauza dhe spostuar vëmëndjen nga abuzimi elitar, ulur pritshmërinë e publikut (të kënaqurit me pak), demonizuar qeverinë në rastin më të parë që i shket këmba asaj, demostruar apo bërë provat teknike të radikalizimit opozitar duke i këputur kokën maces për gjëra dytësore me qëllim dekurajimin e hetimit për abuzimin që i vë përfund etj.
Shtet ligjor për sot dhe mot
Shoqëria bëri histori me verdiktin elektoral. Tashmë, nëse vërtet ka ndërmënd atë çfarë thotë, pritet që dhe qeveria e rilindjes të bëjë të njëjtën gjë ndaj pritshmërisë për drejtësi. Titujt grotesk për rekorde pllaquritjesh në ujë apo përsiatje në FB nuk janë ato që shoqëria pret dhe ndarja me humor me të keqen nuk është surogat për drejtësi. Përballë një opozite paskrupuj në pritje, alternativa nuk është as rënia në nivelin e saj, as provokimi apo intimidimi prej saj por aplikimi strikt i shtetit ligjor. Pa denoncim të abuzimit, bëhesh preja e rradhës e tij dhe me ëndërrën e rilindjes në sirtar, humbësi i qershorit, rishfaqet paradoksalisht si fituesi real.
Duke zhbërë detantën e pandëshkueshmërisë në tranzicion dhe duke sanksionuar preçedentin e denoncimit të abuzimit pa dallim, mazhoranca e re do të jepte një mesazh të qartë të distancimit prej abuzimit edhe brënda rradhëve të saj. Sepse, në mos e bëftë vetë sot, sa kohë preçedenti i ndëshkimit ekziston, do ja bëjnë të tjerët mot. Në e