E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për parkingun para hotelit, vdes turisti grek

Përfundon tragjikisht sherri ndërmjet dy turistëve në Sarandë, një greku dhe një shqiptari me shtetësi franceze.Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:00, në vendin e quajtur Rruga e 5-të, në parkingun e hotelit ku ishin akomoduar të dy turistët për pushime. Por, gjatë konfliktit për parkimin e automjeteve të tyre në parkingun e hotelit, shtetasi Kostandinos Karadhimas, 79 vjeç, nga Lamia e Greqisë, ka gjetur vdekjen. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje që tronditi gjithë pushuesit e akomoduar në hotel, është 53-vjeçari Xhemal Kullai, lindur në Tiranë dhe banues në Francë (me pasaportë franceze). Të dy këta shtetas kanë qenë rezidentë në hotel Olimpia, duke parkuar automjetet e tyre, njëra tip Nisan me targë greke MIB 3235 i shtetasit Kostandinos Karadhimas dhe automjeti tip Peugeot 407, me targë AK 244 TG, në pronësi të Xhemal Kullait, bëri të ditur Policia e Sarandës. Nga hetimet paraprake fillimisht u dyshua se gjatë konfliktit personat janë shtyrë me duar. Në këtë moment, i moshuari grek Kostandinos Karadhimas, i cili kishte ardhur pak ditë më parë me familjen e tij për të kaluar pushimet, është rrëzuar përtokë duke u dëmtuar në kokë. Ai është transportuar menjëherë për në spital, por me gjithë ndihmën e dhënë, ndërroi jetë disa minuta më pas. Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar rreth 8 dëshmitarë okularë që ishin rezidentë në hotel, familjarët e viktimës, si dhe të autorit të dyshuar. Sipas dëshmitarëve, në momentin e ngjarjes viktima ishte me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka debatuar me Xhemal Kullain duke e akuzuar atë se po i gërvishte mjetin. Dëshmitarët kanë pohuar gjithashtu se debati ka qenë vetëm ndërmjet bashkëshortes së viktimës dhe autorit të dyshuar. Kjo ka bërë që policia e Sarandës të mos kryente veprime për arrestimin e tij deri në orët e vona, pasi dyshimet paraprake për një vrasje të mundshme u shuan. Kjo edhe për shkakun se 79-vjeçari vuante nga zemra. Mjekët kanë konstatuar se viktima kishte kryer disa vite më parë një operacion në zemër duke vendosur edhe valvol.

SARANDE/ SHPRESA DINO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›