Tentuan grabitjen me pretekstin e Facebook-ut
TIRANE Me pretekstin se i kishte sharë në Facebook, dy të rinj kryeqytetas kanë tentuar të grabisin me dhunë një person në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Duke e kërcënuar me një thikë, Erion Sula, 19 vjeç dhe Taulant Ymeri, 18 vjeç, kanë marrë shtetasin I. Shyti nga zona e ish-Bllokut deri te një rrugicë e ngushtë mes rrugës Myslym Shyri dhe Rrugës së Kavajës. Por, ndonëse e kanë goditur dhe dhunuar, ata nuk kanë mundur tia grabisin atij një varëse floriri. Gjykata e Tiranës i ka deklaruar fajtorë për veprën penale të vjedhjes me dhune, të kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Sipas vendimit, i pandehuri Erion Sula është dënuar me 2 vjet burg, ndërsa i pandehuri Taulant Ymeri me 1 vit e 8 muaj. Për të pandehurin Ymeri, gjykata pezulloi dënimin me burg duke e lënë atë në liri me kusht për 3 vjet. Ngjarja për të cilën u dënuan dy të rinjtë është shënuar në shtator të vitit të kaluar. Në datën 08.09.2010, rreth orës 18:30, i dëmtuari I. Shyti ka dalë së bashku me shokët e tij, R. Hasani dhe E. Kola, në vendin e quajtur ish-Blloku. Në kohën kur kanë qenë para një lokali, u kanë dalë në rrugë katër persona, mes të cilëve i pandehuri Erion Sula dhe Taulant Ymeri. I pandehuri Erion Sula i ka kërkuar të dëmtuarit I. Shyti ti tregonte emrin. Kur fillimisht i dëmtuari nuk ka pranuar, ka nxjerrë një thikë të zezë, e cila ishte e hapur dhe, duke ia treguar atij, i ka kërkuar që ti thoshte emrin, pasi sipas tij, i dëmtuari e kishte sharë në Facebook. I. i ka thënë se nuk ishte ai personi që e kishte sharë në Facebook dhe për ta verifikuar këtë mund të shkonin në një pikë interneti që ndodhej aty pranë. Personat nuk kanë pranuar duke u thënë se ishte një pikë interneti pak më larg. Nen kërcënimin e thikës që i pandehuri Erion Sula kishte në dorë, i dëmtuari I. Shyti ka shkuar me të dhe pas tij ka shkuar edhe shoku i tij R. Asllani së bashku me dy persona të tjerë, shokë të të pandehurit Erion Sula, mes tyre i pandehuri Taulant Ymeri, thuhej në vendimin e gjykatës. Po sipas vendimit, pasi e kanë çuar në një rrugicë të errët, ata kanë tentuar ti marrin varësen e floririt. I. ka refuzuar dhe i pandehuri Erion Sula e ka kapur me forcë për krahu duke e tërhequr. Në atë kohë janë afruar dhe personat e tjerë dhe e kane qëlluar dhe i kane kapur nga qafa dhe i kanë këputur zinxhirin e floririt. I. nuk e ka lejuar tia marrë zinxhirin dhe ka ikur me vrap. Pas 4-5 metrash është rrëzuar në tokë dhe i pandehuri Erion Sula së bashku me personin tjetër shok të tij, si dhe Taulant Ymerin, e kanë arritur dhe e kanë qëlluar me shkelma dhe grushte në pjesë të kokës dhe fytyrës. ar.ba