E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për pronën, plagosin rëndë kushëririn

Elbasan- Dy vëllezër kanë plagosur rëndë kushëririn e tyre, pas një sherri për motive pronësie. Ngjarja është regjistruar në një fshat të Librazhdit, dhe ka për autorë vëllezërit Bisku, njëri prej të cilëve ka përfunduar në pranga.

Ata kanë goditur me mjete të forta kushëririn e tyre, A.Bisku, 38-vjeç. “Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Librazhdit dhe sipas mjekëve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën”- thanë burimet nga vendi i ngjarjes.

Sipas burimeve të policisë lokale, në pranga ka përfunduar 18-vjeçari Lulzim Bisku dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij. “Ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim”- thanë të njëjtat burime, duke shtuar se grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Adoleshenti është shoqëruar në dhomat e komisariatit dhe po i nënshtrohet marrjes në pyetje për të dhënë detaje rreth ngjarjes. Ndërkohë policia është në kërkim të të akuzuarit tjetër për plagosjen në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›