E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherret elektorale, pranga 3 personave

Tre persona, dy militantë të Partisë Socialiste dhe një i Partisë Demokratike, përfunduan në prangat e policisë së Tiranës me akuzën për implikim në incidentet elektorale që ndodhën të dielën në Kashar dhe Bathore.Policia tha se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim policor edhe katër persona të tjerë, në lidhje me plagosjen e dy vëllezërve, Genci e Fatjon Kamberi, në Kashar. Mes katër të kërkuarve është edhe ish-kryekomunari i Kasharit, Alfred Sulaj, i arrestuar edhe më parë për abuzim me pronat në këtë njësi. Ai njëherësh është edhe djali i kandidatit socialist për komunën Kashar, Jakup Sulaj, i cili kandidon për zgjedhjet e 8 majit. Policia e Tiranës u shpreh dje zyrtarisht se për ngjarjen në Kashar, të dielën, rreth orës 23, është bërë arrestimi i Luan Sulajt, 32 vjeç dhe Viktor Sulajt, 27 vjeç. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim policor Alfred Sulaj, Ismail Sulaj, Ramazan Sulaj dhe Ndriçim Lleshi. “Arrestimi i Luan dhe Viktor Sulajt u krye sepse dyshohet se në Kashar, për motive të dobëta, kanë kanosur me armë dhe goditur me sende të forta shtetasit Fatjon Xhavit Kamberi, 26 vjeç dhe Genci Xhavit Kamberi, 37 vjeç, banues në Kashar”, thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës. Sipas policisë, dy të arrestuarit, por edhe katër të tjerët të shpallur në kërkim, akuzohen për “kanosje”, “plagosje të lehtë me dashje” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Policia e kryeqytetit njoftoi gjithashtu se ka arrestuar edhe një person tjetër, militant i Partisë Demokratike, në lidhje me incidentin e së dielës në Bathore. “Nga ana e shërbimeve për hetimin dhe parandalimin e krimeve në Komisariatin Nr. 5 të Policisë në Tiranë, për ngjarjen në Bathore është bërë arrestimi i shtetasit Krenar Bajram Baja, 21 vjeç, me banim në Bathore, Tiranë”, thuhet në deklaratën për shtyp. Krenar Baja u arrestua në mesnatë, pasi gjatë një konflikti midis simpatizantëve të dy subjekteve politike, ai dyshohet të jetë autor i dëmtimit të dy automjeteve tip “Wolksaven Bora” dhe “Golf 3″, në pronësi të simpatizantëve socialistë Elvis Vladi dhe Ardian Alia. Baja akuzohet për “shkatërrim prone” dhe është shkaktari i trafikut të rënduar në rrugën kryesore në Lagjen Nr. 6 të Bathores. Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariatin Nr. 5 dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë edhe për 10 persona të tjerë që kanë bllokuar rrugën në Bathore.

Orikum, dhunohet zyra e kandidatit të pavarur

ORIKUM – Shkatërrohet qendra elektorale e kandidatit të pavarur për kryetar bashkie të Orikumit Hasan Labaj. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 03:40 në mes të kësaj qyteze. Qendra elektorale e Labaj është sulmuar me sende të forta, gurë dhe hekura, madje janë shkatërruar dhe karriget që ndodheshin jashtë saj. Për pasojë janë thyer edhe xhamat, dyert dhe tavolinat që ndodheshin brenda ambientit. Gjithashtu janë grisur edhe posterat elektoralë të kandidatit të pavarur. Labaj mbërriti në vendin e ngjarjes rreth orës 09:00, pasi u njoftua nga banorë e simpatizantë të tij. Në vend mbërriti edhe policia, por autorët mbeten ende të paidentifikuar. “Ne nuk e dimë kush janë autorët, por janë njerëz të cilët tregojnë fytyrën e vërtetë të kandidatëve kundërshtarë, qofshin këta të majtë apo të djathtë”, u shpreh Labaj. Sipas tij, dy kandidatët e tjerë të PS-së dhe të PD-së e shohin atë si kandidat të fortë. “Nuk është e moralshme të thyesh xhamat e qendrës elektorale apo ta dhunosh atë. Veprime të tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të kandidatëve kundërshtarë”, u shpreh më tej Hasan Labaj.                  q.b

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›