E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shesin lule për të blerë libra, nxënësit e shkollës “Besëlidhja” vijojnë traditën 13-vjeçare

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë kanë surprizuar vazhdimisht me nismat e tyre të bukura.

Ata kanë shitur lulet e mbjella në kopshtet e shtëpive për të blerë libra, me të cilët do të pasurohen bibliotekat e shkollave.

Të ndihmuar nga prindërit, ata e vijuan traditën edhe këtë vit, duke shitur lulet dhe duke blerë libra me paratë e fituara.

Kjo iniciativë, e cila vijon prej 13 vitesh, është zgjeruar dhe librat që do të blihen do të dhurohen edhe për bibliotekat e shkollave të tjera.

“Qëllimi nuk është thjesht të fitojmë të ardhura, por të shesim produktin që e kemi bërë me duart tona. Fëmijët kanë punuar shumë dhe prindërit po ashtu kanë bashkëpunuar në mënyrë të mrekullueshme, duke shfrytëzuar gjithmonë kohën e pushimit për të siguruar të gjitha mjetet e duhura dhe kanë vënë në plan riciklimin. Pra, është një projekt që ka një gjithëpërfshirje të shumë objektivave, qëllimeve dhe temave që kanë një mbështetje të madhe”, u shpreh mësuesja Lulzime Celami.

Nga aktivitetet e viteve të shkuara janë blerë më shumë se 200 tituj librash për fëmijë, ndërsa kjo iniciativë lidhet me edukimin ekonomik, mjedisor, ambiental dhe me nxitjen për të lexuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›