E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëtitësi i lirisë së ngordhur

Shkretani që poshtëroi vullnetin e shumicës shqiptare dhe u bë qiraxhi jargavel në guvernën e Gruevskit, i pari, kryeheqësi i BDI-së, i çon punërat politike hënë-hënë. Gjatë muajit hënakarth (si i thonë në ditërrëfenjësin, në kalendarin e njerëzisë sonë nëntorit), që e shpalli hënë të bardhë të yllit të vet politik, i ra rrokull "vëndit" me shëtitje të lirisë. Kështu, më 22 nëntor 2008, në akademinë me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, tok me një mysafir të tij, këtë vënd të njerëzisë sonë ia fal "solemnisht" Gruevskit, sikur të ishte bostan-çairi i baballarëve të tyre dhe ky nënshkroi Ahd-namen (aktdorëzimin) e tyre, duke na bërë jabanxhi, diasporë dhe "bashkësi shqiptare" e goditur rastësisht këtu, dhe paskemi puqur telat,paskemi qenë barkë e shpinë me njëri-tjetrin në këtë "vend të tij", si thotë ky Gruevski dhe si tha ai tjetri nga Tirana, që nga kohërat kur këta ishin të paqenë. Ama që kujtojnë vetë se na dalin të qenë që nga koha kur është mbytur varkë e Nuhut në det afër këtij vendi. Dhe pa nxirë fytyrën, me mjeshtërinë e një dredharaku me vulë, turpërimin e një jubileu, që e bënë bashkë, e ktheu në "histori bashkimi" të shqiptarëve, por nën këmbët e Gruevskit..!!! Pasi një mysafir i Gruevskit, në delir përunjësie të çmendur, i dha zë njerëzisë sonë se miku i tij Gruevski na qenkërka shumë i kënaqur me jargavitjet për pushtet të qiraxhiut të tij, kryeheqësi i BDI-së bëri mendjen t'i japë fund leçitjes, përhapjes së lirisë nëpër vënd, e sosi shëtitjen e livadhisjen në "Muze të lirisë", për t'i vënë, si i vë zakonisht, gjërat së prapthi, majën në vend të rrënjës, si e ka lënë fjalë Seneka, dhe murosi dredhinë e tij si "liri historike", se "kish ndjerë", si tha ky njësoj si thoshin edhe vetë latinët, se na merr mendja, po nuk e dimë se ç'është, po mandej tha që "ia thotë mëndja" që ky biçim lirie "është liri historike"..!!!

Të këqijat e radhës të dit-nemitjeve - Dhe, si zakonisht, kur u jep përfundje me ca këngë qestare, bukolike, fjalëfurdeve të këtilla të pakuptuara, apo tjetër-për tjetër të kuptuara, si përgjigjet e Pities, orrakullit të Delfit; hiqet mënjanë në nemitje ditësh e netësh, si u hoq pas zgjedhjeve, për të mejtuar divnesat (parafoljet) e radhës dhe do t'i japë, në një hënë tjetër,si parabola, që vjen me thënë, si e folur me përralla, me enigma, që do ta bëjnë të mejtohet kjo njerëzi se që ka dashur të thotë për të ngjarat historike të pritme, se të shkuarat dhe të sotmet, që i sollën dit-netët e nemitjeve të tij, i dimë dhe i hoqëm vuajtje në lëkurë dhe i hoqëm si poshtërim i shkuar poshtërimit..! Në meskohë, që vjen me thënë, në ndërmjet kohë, të kësaj heqjeje të nemitur mënjanë, do t'i bëjë ato punëra që "ia ka ndjerë mendja t'i bëjë" dhe që i bën si kurdoherë-do luajë telat prapa kallogjerëve, murgarëve në dobi të "vëndit",sikundër bëjnë qiraxhinjtë e ligë politikë në guvernë të vëndit kur "vëndin" e vet e qesin në shitkë dhe e bëjnë të huaj. Do ta mejtojë dhe do ta bëjë, vjen me thënë kjo, bëmën e ligë të radhës dhe do të dalë prapë ta shëtisë e ta leçisë nëpër "vënd" si liri, barazi e lumturi për njerëzinë tonë..! Ndër këto dit-nemitje të para të tij, sikundër ishte e pritur, u shpërfaqën ca punëra të para të bëra ndër strehë guverne e që na stepin mëndjen prap- ka sosur të na bjerë të ligat e të këqijat lëmsh, si herën e parë:njëherë e me një sërë, me pako ligjesh me yrysh, për të na vënë lakun e fundmë në qafë si njerëzi, para se kësaj njerëzie t'i dalë gjumi i afiontë, para se kësaj njerëzie t'i zbresë mendja nga havaja në tokë, ku e ka vënë kënga e tij qestare mbi lirinë e ngordhur, e që ia ka vënë emrin "liri historike"..!

Dredhi historike më e çuditshme në dynja - Dhe, kjo liri historike që, për të vërtetë, është dredhia historike që i ka ngjarë njerëzisë sonë këtu nga një çetë bastardësh politikë, është faktuar në një marrëveshje-paçavër, në Marrëveshjen e Ohrisë, së cilës ia kushton këngët qestare, për të maskuar mashtrimin historik që ia ka bërë njerëzisë së vet,duke e bërë atë "bashkësi etnike", biles një shkallë më poshtë se në dokumentin e ASNOM-it, një shkallë njësoj si në Kushtetutën e 1991-shit, që u përshkrua dhe jo u ndryshua në Partallen e Ohrisë dhe ia ka bërë poshtërimin më të madh historik kësaj njerëzie, se e qet si poshtërim të kërkuar vullnetisht, që vjen me thënë shqip-biles edhe me luftë ka kërkuar kjo njerëzi që në vendin e vet, me dashjen e vet,nuk don tjetër veçse të jetë "bashkësi etnike", të jetë pakicë etnike, të jetë nën këmbën e tjetrit dhe me gojë të vet do ta quajë këtë "liri, barazi, shtet të përbashkët" dhe do të vetëgënjehet ashtu si do ta gënjejnë! Po, një tallje kaq poshtërisht të hidhur, një mashtrim kaq të çmendur nuk do ta duronte t'ia bëjnë me gojë e t'ia shkruajnë në paçavër as ndonjë tribu i egër në kumet e Afrikës, ama e duron vullnetisht "populli heroik shqiptar" në "këtë hise Shqipërie që i thonë Maqedhoni", si e la fjalë Josif Bageri ynë nga Reka e Epërme përmbi Gostivar Dhe, nga ky merak vetëposhtërimi vullnetisht që i ka ngjarë, kjo njerëzi pranon edhe ta gënjejnë halldupët dhe u beson çmendurisht kallpazanëve që ia kanë bërë marrëveshjen -paçavër më të çuditshme në dynja, me dredhinë më të habitshme në dynja, ca shekuj pas marrëveshjes edhe më të çuditshme në dynja, që është bërë në kumet e Rabistanit, në luftën arabo-perse në kohët e para të përhapjes së besimit islam, si na e përshkruan intelektuali i sotëm iranian, Ali Sheriati dhe një ditë do radhisim një rrëfim edhe për këtë.

Natën mbarsur, ditën pjellë - Tashti që ka provuar se kjo njerëzi nuk e turbullon mendjen kur të këqijat i vijnë lëmsh në nadje, i ka thënë mendja dhe "ia ka ndjerë mendja", se nuk do të turbullohet as kur të këqijat do t'ia sjellë lëmsh në pikë të ditës, në pako ligjesh me yrysh, dhe ca të tjera të këqija në radhë, në nadje, që vijnë me thënë-ca të këqija që vijnë si natën mbarsur, ditën pjellë. Si mbarsje nate në kafeterinë "Den i noq" të Shkupit, pjellë e zezë dite në Tetovë, kur hiqet nga posti një pishtar i atdhetarizmës dhe i shqipes e kulturës..!!! Dhe, është tmerr e lebedi kjo që ia ka bërë gjer më tashi dinjitetit të njerëzisë sonë dhe e çon tutje duke e bërë, si "vlerë për vëndin" shtrembërimin e gjuhës, të kulturës dhe të shpirtit shqiptar..! Dhe, pikërisht në Tetovë ku e ka zgjedhur të ndenjurit e tij, në këtë Tetovë me shumicë shqiptare, në këtë Tetovë me dy universitete dhe me një deng shkollarësh të lartë pa punë, ndër këto muaj të jargavitjes si qiraxhi në guvernë ka bërë edhe një tjetër punë të ligë, kur në Entin për sigurim shëndetësor ka hequr nga postet dy shqiptarë dhe ka sjellë dy të tjerë të VMRO-së nga Shkupi, që të mos ia diktojë dallaveren njerëzia jonë dhe një të afërm të vet nga Kërçova..?! Nga këto "leçitje të lirisë" që i bën për të na mbajtur mendjen të mpirë që t'i bëjmë vullnetisht osanara lirisë së ngordhur dhe të këqijat që na i hedh në lëmë, na ka bërë mendjen të tymtë, të mjegulluar sa të mos kuptojmë se kur na sjell të këqija-kur leçit lirinë e ngordhur kur është hënabrenda, apor kur hiqet mënjanë si eremit në dit-nemitjet e tij, kur gatuan të liga, e që na i bie mbi kokë, aty ku don të na i bjerë Gruevski, apor tek gatuan të liga kur është hënajashtë..! Ç'na ka ngatërruar keq, or ky, rrojtjen në tokë dhe hënat në qiell ndër këto orë..!!!
Marrë nga e përditshmja e Tetovës “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›