Shëtitjet me anije në liqen, sezonin e ardhshëm pritet edhe linja Kukës-Fierzë

Në përfundim të sezonit veror, shëtitjet me anijen turistike në liqenin e Kukësit rezultojnë një sukses, veçanërisht për faktin se ky ishte viti i parë i këtij aktiviteti. Interesi i qytetarëve për të eksploruar liqenin dhe bukuritë natyrore të zonës ka qenë i lartë gjatë gjithë sezonit.
Drejtuesi i anijes turistike, Edmond Bytyçi, tregon se kërkesat kanë ardhur nga qytetarë të vendeve të ndryshme të botës. Megjithatë, numrin më të madh të vizitorëve e kanë përbërë qytetarët nga Shqipëria e Kosova.
“Pjesa dërmundëse ka qenë prej kuksianëve. Një kemi pasur edhe të huaj, hollandezë, gjermanë, anglez edhe nga qytetet e Shqipërisë kemi pasur nga Tirana, kemi pasur nga Shkodra kemi pasur prej prej vende të ndryshmeve të Shqipërisë”, tha ai.
Interesi i lartë ka bërë që të merren masa që shërbimi të zgjerohet në sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, është siguruar edhe një tjetër anije, ndërsa pritet që aktiviteti turistik të sjellë një risi të re me vendosjen e linjës Kukës-Fierzë.
Anija turistike ka shërbyer jo vetëm si një mundësi për të shijuar liqenin e Kukësit, por edhe si një mënyrë për të promovuar qytetin dhe pasuritë e tij natyrore.
/rtsh.al/