Kolegji rrëzon kërkesën e PD, refuzohet përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë hapet rruga për certifikim

Kolegji Zgjedhor i ka dhënë fund pretendimeve të Partisë Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore për pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarkun e Tiranës. Me një vendim të formës së prerë, trupa gjyqësore rrëzoi kërkesën për përsëritje të procesit zgjedhor të 11 majit, duke e cilësuar të pambështetur në fakte dhe në bazë ligjore.
Sipas PD, gjatë votimit dhe numërimit në Tiranë kishte parregullsi por gjykata vlerësoi se pretendimet nuk u provuan dhe nuk cenonin integritetin e procesit.
Me këtë vendim, i hapet rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë rezultatin përfundimtar dhe të shpërndajë mandatet në qarkun më të madh të vendit.
Në Tiranë, Partia Socialiste mori 19 mandate, koalicioni PD-ASHM mori 13 mandate, Partia Mundësia mori 2 mandate, ndërsa nga një mandat secila morën Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe PSD.
Ndërkohë, seanca për qarkun e Durrësit është shtyrë për në 24 korrik, pasi PD paraqiti pretendime të reja për parregullsi në procesverbalet dhe për mospërputhje të kodeve të sigurisë.
Gjykata kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një përgjigje të detajuar me shkrim mbi këto elementë, përpara se të japë vendimin përfundimtar.
Deri më tani, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimimet e PD-së në 9 qarqe. Në pritje të vendimit mbeten vetëm Elbasani dhe Fieri, që do të shqyrtohen në ditët në vijim.
/rtsh.al/