Shfaqja e Berishës me pushimet, deklaroi se i kishte mbaruar
Në një kohë kur Bulqiza është kthyer në një vatër të nxehtë tensioni në vend dhe një grevë urie po trondit opinionin publik në Shqipëri e më tej, kryeministri Sali Berisha vazhdon të japë vetëm shfaqje të shëmtuara, duke folur për Shqipërinë si të parën në botë.
Por nuk të bën kjo përshtypje. Më 3 gusht, pasi kishte bërë disa ditë pushime në Dhërmi, e theu rekordin e notit, deklaroi në mbledhjen e qeverisë se ai i mbylli pushimet dhe do vijonte me punën. Në fakt ai vijon të jetë në pushime. Edhe pse përpiqet të mbajë gjallë imazhin e njeriut dhe qeverisë që punon duke nxjerrë lajme në media se u ka ndërprerë pushimet, është e qartë se askush nuk është në punë. Berisha vjen në mbledhjen e qeverisë vetëm sa për të dhënë një shfaqje, për të folur për për bumin turistik e më pas largohet. Që nga data 6 nuk ka asnjë njoftim tjetër për të.
Ndërkohë vendi po digjet, minatorët po flijohen, kurse kryeministri po bën pushime prej sheiku, me helikopter në dispozicion e i ruajtur madje edhe nga policia kufitare. Së fundmi paranoja e tij ka arritur kulmin, duke u shfaqur me jelek në çdo takim në pikë të vapës.

