Shfryhet edhe tollumbacja e Jalës, dëshpërim tek kampi i Edvinit
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka shqyrtuar dje Raportin e Panelit të Pavarur të Inspektimit për Projektin e Menaxhimit të Zonës Bregdetare në Shqipëri, duke konfirmuar se s’ka asnjë dyshim për korrupsion nga pala shqiptare dhe se prishja e shtëpive ka ardhur si pasojë e shkeljes së parimeve të përgjithshme në projektin e miratuar nga Banka. Premtohet nisja e procedurës për dëmshpërblimin e banorëve, që u janë prishur ndërtimet buzë detit
TIRANE - Banka Botërore ka hedhur poshtë dje hamendësimet mediatike dhe ka zhveshur nga përgjegjësia qeverinë shqiptare apo zyrtarë të saj, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, si edhe stafin e Bankës, për përfshirje në korrupsion, për sa i përket prishjeve të disa ndërtimeve pa leje në fshatin Jalë. Banka Botërore ka konfirmuar gjithashtu se prishja e këtyre ndërtimeve në këtë fshat, ishin pjesë e një projekti për një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë bregdetit, të ofruar si mbështetje për qeverinë shqiptare që në fillimet e vitit 2004.
“Ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion”, bërë të ditur dje zyrtarisht Banka Botërore, ndërsa Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të kësaj banke mori dje në shqyrtim Raportin e Ekipit të Menaxherëve dhe Planin e Veprimit në përgjigje të hetimit të pavarur të Panelit të Inspektimit për “Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare”.
Ndërsa ka përjashtuar palën shqiptare nga çdo lloj përgjegjësie, Banka Botërore, duke ju referuar edhe hetimit të kërkuar nga familjet e dëmtuara prej prishjeve të ndërtesave në prill 2007 në fshatin bregdetar Jal, ka marrë mbi vete përgjegjësitë, ndërsa ka bërë ët ditur edhe një plan për kapërcimin e situatës.
“Raporti i Ekipit të Menaxherëve pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore dhe paraqet një Plan Veprimi për trajtimin e çështjeve të identifikuara nga Paneli”, ka bërë ët ditur dje zyrtarisht Banka Botërore.
Historia e projektit, zanafilla në vitin 2004
Banka Botërore ka bërë ët ditur pas mbledhjes së saj të dy ditëve më parë se, “në fillim të vitit 2004, Qeveria e Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për krijimin e një kuadri që do t’i mundësonte vendit zhvillimin e bregdetit në mënyrë të qëndrueshme. Në përgjigje të saj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për të përgatitur një Projekt për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare (ICZMBP), i cili synon mbrojtjen e burimeve bregdetare dhe kulturore përmes promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të tokës, pjesëmarrjes së komunitetit dhe përmirësimit të kushteve mjedisore. Projekti u miratua në 21 qershor 2005”, ka konfirmuar dje midis të tjerave Banka Botërore.
Më pas, zyrtarisht Banka Botërore ka sqaruar ecurinë e projektit, deri në pezullimin e tij, më se një muaj më parë pas disa ankesave të disa prej banorëve të prekur nga prishjet e ndërtimeve pa leje në Jalë.
“Në përgjigje të një kërkese nga familjet në Jal në gusht 2007, Paneli i Inspektimit hetoi zbatimin nga ana e Bankës Botërore të politikave të saj operacionale për përgatitjen, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, si dhe hetoi dëmin apo dëmin potencial të njerëzve të prekur. Paneli i Inspektimit paraqiti raportin e tij në 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga Ekipi i Menaxherëve në 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin pa aktivitetet e planifikimit të tokës ose për anulimin e plotë të tij”, sqaroi dje Banka Botërore.
Gabimet e pranuara prej Bankës Botërore
Banka Botërore, pas mbledhjes së dy ditëve më parë të Bordit të saj të Drejtorëve Ekzekutivë , bënte ët ditur dje zyrtarisht se, paneli konstatoi që projekti ishte i lidhur me prishjet që ndodhën në Jal në prill 2007.
“Që nga menaxhimi bazë i projektit deri tek ndërveprimet me Bordin dhe Panelin e Inspektimit, të dhënat e Bankës për Projektin janë shokuese,” tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore Robert B. Zoellick, i cili i ka i kërkuar Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të Bankës që të hetojë çështjen, i cili nga ana e tij ia ka referuar këtë çështje Departamentit të Integritetit Institucional në Bankë (DII).
Duke u ndalur të parregullsitë e vërejtura nga ky panel kontrolli, për këtë pjesë të projektit, Banka Botërore pranonte dhe bënte të ditur gabimet konkrete.
“Projekti nuk ishte projektuar dhe mbikëqyrur siç duhet; komunikime të rëndësishme të Ekipit të Menaxherëve me Bordin ishin të gabuara, përpjekjet e Bankës për mbledhjen e fakteve lanë jashtë ngjarje dhe informacione kyçe. Ekipi i Menaxherëve pajtohet me gjetjet e Panelit në këto fusha”, njoftonte Banka Botërore dje.
Duke shprehur keqardhje të thellë për këto ngjarje, Ekipi i Menaxherëve të Bankës Botërore, pranoi dy ditë më parë në mbledhjen e tij, “një sërë gabimesh të bëra gjatë gjithë ciklit të projektit, përfshirë përgatitjen e projektit, paraqitjen e tij në Bord dhe mbikëqyrjen, si edhe përgatitjen e përgjigjes së parë të ekipit të menaxherëve në shtator 2007 dhe lëshimin e një korrektimi të dokumentit të vlerësimit të projektit në shtator 2008. Ekipi i Menaxherëve pranon se këto gabime janë të papranueshme dhe flasin për një thyerje serioze në dhënien e llogarisë, përgjegjshmërisë dhe mekanizmave të mbikëqyrjes për Projektin”, bënte ët ditur më tej dje Banka Botërore, duke ju referuar mbledhjes së dy ditëve më parë të Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të saj.
Asnjë përgjegjësi për zyrtarët shqiptarë
Në reagimin e saj Banka Botërore ka hedhur poshtë akuzat e pabaza nga një pjesë e mediave shqiptare, ndërsa ka zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie, apo përfshirje të mundshme në korrupsion, të qeverisë shqiptare, zyrtarëve të saj, apo edhe të anëtarëve të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose edhe vetë stafit të Bankës.
“Ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion”, bënte ët ditur dje Banka Botërore.
Ndërsa Kryetari i Panelit të Inspektimit, Werner Kiene konfirmoi që mandati i Panelit të Inspektimit “nuk përfshin hetimin e akuzave për korrupsion dhe nuk bën asnjë gjykim për këtë çështje. Paneli heton se si Banka zbaton politikat dhe procedurat e saj operacionale. Paneli nuk heton Huamarrësin dhe nuk e ka bërë këtë gjë edhe në rastin në fjalë.”
Anëtarët e Bordit theksuan se ky proces hetimor shpreh rëndësinë Panelit të Pavarur të Investigimit në forcimin e përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të Bankës.
Nga ana tjetër, duke pasur parasysh seriozitetin e gabimeve të përcaktuara në Projekt, Presidenti i Bankës Botërore i kërkoi Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të kryejë një shqyrtim për të parë rrethanat që lidhen me nxjerrjen e Korrigjimit të shtatorit 2008. Duke u mbështetur në këtë shqyrtim, Presidenti i ka kërkuar Departamentit të Integritetit Institucional të Bankës Botërore (INT) të bëjë një Kontroll Llogaridhënieje në lidhje me të ashtuquajturën prezantim të shtrembëruar nga stafi i Bankës te Paneli e Inspektimit si dhe në lidhje me ngjarjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e Projektit, paraqitjen në Bord, mbikëqyrjen e Projektit, dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura korrektuese.
Masat e Bankës Botërore sipas Planit të Veprimit
* Shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007.
* Caktimin e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë.
* Pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve.
* Ekipi i Menaxherëve të Bankës do të mbikëqyrë edhe përfundimin e një vlerësimi social dhe të vulnerabilitetit dhe aplikimin retroaktiv të paketave të asistencës që rrjedhin prej këtij vlerësimi për të varfrit dhe të prekurit nga prishjet.
* Ekipi i Menaxherëve do t’i raportojë Bordit për progresin mbas tre muajsh.