E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama ka fobi ndaj NATO-s, nuk del vetë, por nxjerr Mrikën që të recitojë

Dje ishte dita e parë e anëtarësimit “de facto” të Shqipërisë në NATO dhe në këtë ditë të shënuar sikurse e kërkon “statura” edhe e një përshëndetjeje të mundshme nga ana e opozitës, barrën e rëndë për të thënë “ndonjë fjalë të mirë” dje e mori, jo Edi Rama kreu i PS-së, as Arta Dade “specialistja” e marrëdhënieve me Jashtë në PS, por vetë Mrika, e ashtuquajtura Mimi Kodheli, e cila nuk është asgjë më shumë se një zëdhënëse e Kryesisë së PS-së.
Edi Rama kreu i Partisë Socialiste, i cili përditë e më shumë demonstron fobinë e tij “anti”-suksese, që më tepër se të qeverisë janë të të gjithë Shqipërisë, sërish dje zgjodhi të bëjë indiferentin përballë një date (17 shkurt) me dy ngjarje të shënuara kombëtare. Për atë më e rëndësishme ishte dje, me sa duket, që kaseta me takimin e nëpunësve-vullnetarë të Bashkisë së Tiranës në Kamëz, të mos mungonte nëpër televizone, sigurisht me të njëjtat sinkrone.
Sikur të mos mjaftonte kjo, dje nuk u duk gjëkundi as Arta Dade, që kur ka qenë, bie fjala problemi për “çështje kombëtare”, ajo nuk ka ngurruar të dalë e të flasë edhe për Damir Fazlliçin. Por dje, pas mungesës së saj, askush nuk mund të thotë me siguri nëse Arta Dade e kishte marrë vesh se kishte përfunduar Ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga të 26 vendet anëtare të kësaj Aleance.
Pavarësisht hamendësive, “me tendencë jo aq dashakeqëse”, nuk vihet në dyshim që edhe Arta Dade, por edhe Edi Rama e kishin marrë vesh, përmbylljen e procesit të ratifikimit, por ata të mësuar që post ngjarjeve të tilla, të gjejnë “argumente” të tipit “Gërdec” apo “Kosta Trebicka” për të protestuar, duket dje nuk u binte asgjë në mendje, të kishte ngjashmëri me ndonjë ngjarje aksidentale si e Gërdecit apo e vdekjes së Kosta Trebickës, që të dilnin mandej në përmbushje të misionit të tyre të pretenduar, për të “lënë në hije” ngjarje ët tilla si 3 prilli i vitit 2008, 17 shkurti i vitit 2009, etj., etj.
Dhe ndërsa kanë gërmuar kujtesën e tyre dhe nuk kanë gjetur ndonjë ngjarje të mundshme, për të dalë ne protesta, Edi Rama dhe Arta Dade zgjodhën Mrikën, e ashtuquajtura Mimi Kodheli, e cila në deklarimin e vet para gazetarëve kishte më tepër si mision, t’i lutej qeverisë të mos përvetësonte suksesin e anëtarësimit në NATO, por, t’i hidhte edhe ndonjë “copë” prej këtij suksesi PS-së, për me nder kontributin e saj, me protestat e postGërdecit, apo postaksidentimit të Kosta Trebickës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›