Shfrytëzimi i hapësirës publike në Theth, Rama: Prokurorja nuk nisi hetimet, rasti t’i dërgohet KLP

Kryeministri Edi Rama ka bërë publik vendimin e një prokuroreje, e cila sipas tij ka “mbyllur sytë” përpara një krimi mjedisor.
Kreu i qeverisë sqaron se rasti i zaptimit të hapësirës publike në Theth u referua nga Inspektorati dhe Policia, por prokurorja në fjalë nuk i nisi hetimet. Për Ramën, vendimi i prokurores përbën vepër penale dhe çështja do i dërgohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Ai komunitet njerëzish e turistësh ndihet i përdhunuar nga një individ, që në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik pa leje. Për zonjën Gjeli, kjo nuk përbën vepër penale. Ajo është vetëm kulminacioni i një zinxhiri jo të shkurtër hallkash të përbëra nga vendime skandaloze prokurorësh.
I kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin, qytetarët dhe të gjitha strukturat që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit, dhe e cila është e padenjë për t’u paguar nga taksapaguesit shqiptarë. Çështja e saj të çohet në KLP, i cili duhet të shohë dëmin e madh që i ka sjellë mosfillimi i çështjes penale Republikës së Shqipërisë. Të gjykojë nëse znj. Gjeli është e denjë të paguhet si prokurore”, theksoi Rama.
Kryeqeveritari paralajmëroi të gjithë prokurorët që kanë dhënë vendime të padrejta dhe të jashtëligjshme se do të përballen me drejtësinë.
“Ky është rasti i parë që do pasohet nga të tjerë sa herë ndeshemi me prokurorë territoresh që paguhen më shumë se të tjerë punonjës policie e mësues, e tradhtojnë me paturpësi interesat e Republikës së Shqipërisë”, shtoi ai.
Në videomesazhin e tij në rrjetin social Facebook, pas përfundimit të takimeve në Bashkinë e Vlorës, Rama u ndal dhe te problematikat që po has në këtë qark.
Ai bëri me dije rastin e një tjetër prokurori që, sipas tij, ka vënë nën sekuestër për falsifikim pronat shtetërore te Pylli i Sodës. Sipas Ramës sekuestri, po zgjat prej vitesh, duke u bërë kështu shkak për bllokimin e projektit “Vlora Sport”.
“Në Vlorë, vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë aty me 9 deputetë, po ju jap një fakt se si na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin “Vlora Sport” te pylli i sodës në truall tërësisht shtetëror, sepse një prokuror ka vënë në sekuestro për falsifikim prone pronat shtetërore përkatëse, por sekuestro zgjat prej vitesh të tëra dhe të tilla ka plot”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/